Në një ceremoni përkujtimore të mbajtur sot në fshatin Rashiq të Pejës, u përurua pllakë përkujtimore në nderim të 18 dëshmorëve dhe martirëve të zhdukur me dhunë më 7 prill 1999 – 13 luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe 5 civilëve që ranë në një pritë të organizuar nga forcat serbe.
Edhe pas 26 vitesh, fati i tyre mbetet ende i panjohur. Megjithatë, kujtimi për ta mbetet i gjallë dhe i pathyeshëm, sikurse edhe përkushtimi institucional për të kërkuar drejtësi.
Me këtë rast, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, theksoi përkushtimin e pandalshëm të institucioneve për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë. Ajo ritheksoi se kjo çështje nuk është vetëm një detyrim moral dhe kombëtar, por obligim shtetëror dhe ndërkombëtarë.
“Nuk do të ketë drejtësi pa të vërtetën për fatin e tyre. Lavdi dëshmorëve, drejtësi për viktimat! Nderim për familjet që presin dhe nuk ndalen së kërkuari të vërtetën dhe drejtësinë”, deklaroi ministrja Haxhiu./Njeshi/
Zbulohet Pllaka e martirëve të pagjetur të fshatit Rashiq, Ali Berisha: E gjatë ishte rruga e Lirisë