Në një atmosferë festive dhe në prani të shumë qytetarëve të lagjes Dardania, është përuruar sonte “Tuneli i Kurrizit” – një nga projektet më simbolike të rigjenerimit urban në kryeqytetin e Kosovës.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e cilësoi këtë projekt si “transformimin e pjesës më ikonike të Kryeqytetit”, duke ndarë me ndjekësit e tij pamje dhe entuziazëm për përfundimin e këtij projekti modernizues.
Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e quajti “Tunelin e Kurrizit” shembull të një modeli zhvillimi urban që e kthen frikën e të kaluarës në bukuri dhe funksionalitet. Ai theksoi se ky projekt e ka kthyer një zonë të errët dhe të braktisur në një nga hapësirat më atraktive të Prishtinës.
“Do të punohet në çdo anë. LDK, me njerëzit më profesionistë, do t’i japë Prishtinës gjithë potencialin që ka”, u shpreh Abdixhiku, duke theksuar rëndësinë e dashurisë dhe përkushtimit për qytetin, përtej interesave të përkohshme politike./Njeshi/