18.8 C
Pec
E enjte, 23 Maj, 2024

Përurohet platforma online për komunitetet

Kryeministri Albin Kurti, mori pjesë në përurimin e platformës online për komunitetet, ku në mesin e pjesëmarrësve ishin prezent dhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves dhe ambasadori i Zvicrës, Jurg Sprecher.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri tha se krijimi i kanaleve të komunikimit ndërmjet qeverisë dhe qytetarëve tanë nga komunitetet joshumicë, ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet tona.

‘’Nuk mjafton që të ndahen miliona euro posaçërisht për komunitetet joshumicë – 3 milionë euro vitin e kaluar, bashkë me 1 milionë shtesë të shpallura muajin e kaluar, nga Ministria për Komunitete dhe Kthim – për grante për fermerët, për biznese ekzistuese dhe të reja, ose për OJQ-të që punojnë në punësim. Ne duhet të sigurohemi që të gjithë – qoftë në zonat rurale apo për ata të cilët nuk e kanë gjuhë amtare serbishten apo shqipen – të kenë informacion dhe të mund të aplikojnë për këto mundësi’’, u shpreh ai.

Kryeministri përmendi dhe iniciativat e politikat shoqërore e ekonomike të ndërmarra edhe në veriun e vendit, si mekanizmat për verifikimin jo vetëm të diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut por edhe nga shkollat e mesme që mësojnë në gjuhën serbe, apo ofrimi i subvencioneve të veçanta për deri në 2000 vende pune, por edhe rëndësia e arritjes së kuotës prej 10% të punësimit në institucione qendrore për qytetarët nga komunitetet joshumicë.

Rikujtoi dhe takimet e zhvilluara me komunitetet përgjatë këtyre tri viteve, të cilat kanë shërbyer në identifikimin e sfidave dhe gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta për tejkalimin e tyre.

Duke përmendur dhe buletinin i cili dërgohet në katër gjuhë, çdo dy javë, me mundësitë e ndryshme për aplikime për komunitetet për grante, subvencione, punësim, trajnime ose praktika, kryeministri Kurti theksoi se ngritja e kësaj platforme i shton dhe fuqizon kanalet e komunikimit dhe të informacionit./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...