Sot në Mamushë është përuruar Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF).
Në përurim mori pjesë kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, Kryetarin e Komunës, Abdülhadi Krasniç, ministrin e Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, ambasadorin e Turqisë, Sabri Tunç Angılı dhe i ngarkuari me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, Keisuke Yamanaka.
QKMF-ja e re në Mamushë është investim në vlerë prej 757,608.37 euro, prej të cilave 90% financim nga Ministria e Shëndetësisë dhe pjesa tjetër nga Komuna e Mamushës dhe ka një infrastrukturë moderne për ofrimin e shërbimeve shëndetësore, siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.
“QKMF-ja e përuruar do të ofrojë shërbime laboratorike dhe shërbime të diagnostikës, dhe është e pajisur me aparatin për rëntgen, i cili është siguruar si donacion nga Ambasada Japoneze. Ajo ka dy dhoma për dhënien e terapisë intravenoze, barnatore dhe kushte të përshtatshme për stafin mjekësor. Krahas shërbimeve tjera ofron edhe shërbimin stomatologjik”, thuhet në njoftim.
Kryeministri Kurti i uroi banorët për QKMF-në e re dhe falënderoi komunën për bashkëpunimin dhe ambasadën japoneze për donacionin.
“Në çdo cep të Republikës pa dallim do të vazhdojmë të investojmë në infrastrukturën shëndetësore që të ofrojmë shërbime cilësore dhe kushte të dinjitetshme, sikurse për profesionistët tanë ashtu edhe për qytetarët tanë pa dallim. Investimet e tjera, specifikisht këtu në Mamushë nuk po mungojnë, e nuk do të mungojnë asnjëherë, por do të shtohen gjithsesi”, tha ai.
Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, theksoi se hapja e Qendrës kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë “është pjesë e angazhimit tonë të përbashkët e të përditshëm për ta sjellë kujdesin shëndetësor sa më afër qytetarëve, duke e bërë qasjen në këto shërbime më të lehtë, më cilësore, më të përballueshme, më të shpejtë për të gjithë dhe pa dallim”./Njeshi/