Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, me rastin e përvjetorit të 25-të të Policisë së Kosovës, kujtoi ata që dhanë jetën për mbrojtjen e atdheut dhe sigurinë e qytetarëve.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka shkruar se çdo ditë e më shumë, Policia e Kosovës dëshmon që siguria e qytetarëve është prioriteti i tyre.
“Në përvjetorin e 25 të Policisë së Kosovës, nderojmë me plot respekt për punën e palodhur dhe të përkushtuar për mbrojtjen e qytetarëve dhe sigurimin e paqes në vendin tonë. Çdo ditë e më shumë, në çdo sfidë, Policia e Kosovës dëshmon se siguria jonë është prioriteti i tyre. Përmes përkushtimit, ndershmërisë dhe profesionalizmit të lartë Policia ka fituar edhe më shumë besimin dhe respektin e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Me respekt të veçantë do të kujtojmë përherë të gjithë ata të cilët dhanë jetën për mbrojtjen e atdheut dhe sigurinë e qytetarëve, duke lënë pas një trashëgimi të pashlyeshme të guximit, sakrificës dhe heroizmit”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Policia e Kosovës sot ka shënuar 25 vjetorin e themelimit me aktivitete të ndryshme.
Në ceremoninë solemne ishin të pranishëm personalitett të larta shtetërore, menaxhmenti i lartë i PK-së, si dhe personalitete të agjencive të sigurisë nga Kosova, rajoni dhe më gjerë./Njeshi/