10 C
Pec
E mërkurë, 28 Shkurt, 2024

Pjesëmarrje e vogël në protestën kundër mbylljes së rrugës “George Bush”

Dhjetëra qytetarë i janë përgjigjur thirrjes për protestë nga “Vrojtuesit e Lagjes në Prishtinë”, me kërkesë që rruga “George Bush” në kryeqytet të lirohet për qarkullimin e veturave.

Protestuesit theksuan se bllokimi i kësaj rruge kryesore ka shkaktuar kaos nëpër rrugët e tjera në kryeqytet. Qytetarët po ashtu kërkuan edhe që kryetari Përparim Rama t’i pranojë ata në takim për të diskutuar për kërkesat e tyre.
Fatmir Muçolli, njëri prej protestuesve, shprehu pakënaqësitë në emër të protestuesve.

“Pse nuk është dikush i pranishëm këtu nga Komuna e Prishtinës? Pse nuk është këtu dikush i pranishëm nga Ministria e Infrastrukturës“, ka pyetur Muçolli.

Në paralajmërimin e protestës shkruhej: “Ne organizojmë një protestë thelbësore për hapjen e rrugës ‘Xhorxh Bush’, një rrugë e cila mund të hapet lehtësisht duke i larguar betonat që e mbyllin. Thirrja është e hapur për çdo individ të lodhur nga këto praktika të kryetarit të komunës tonë”.

“Përparim Rama premtoi se rruga do të mbyllej vetëm për një test 1-javorë, pastaj tha se do të ishte e mbyllur vetëm për trafikun urban, duke lejuar kalimin e autobusëve dhe taxit. Megjithatë, realiteti është një varg gënjeshtrash pas gënjeshtrash, duke mbyllur rrugën përfundimisht. Kërkojmë një Prishtinë më të lirë dhe të përshtatshme për të gjithë. Ju lutemi, bashkohuni për një qytet më të mirë dhe më të hapur”.

Vetëm një ditë më parë, është bërë edhe prezantimi i projektit për transformimin e bulevardit “George Bush” në kryeqytet. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se Bulevardi i kryeqytetit do të shndërrohet në një hapësirë urbane bashkëkohore e cila sipas tij reflekton nevojat e qytetarëve, promovon një stil të jetës së shëndetshme, më shumë gjelbërim e ajër të pastër.

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...