31.3 C
Pec
E shtunë, 22 Qershor, 2024

Plagosja e trefishtë në Pejë/ Gjykata merr vendim për dy të dyshuarit

Gjykata Themelore e Pejës ka aprovuar kërkesën e  Prokurorisë Themelore të Pejës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Agron Gashit i cili dyshohet për tentim vrasje e cila ndodhi në mbrëmjen e së mërkurës, ku mbetën të plagosur tre persona.

Ndaj tij gjykata ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji. Ndërsa për të dyshuarën për dhënie të ndihmës pas kryerjes së veprës penale, Liridona Gashi është caktuar arrest shtëpiak po ashtu për një muaji.

Agron Gashi përveç veprës penale – vrasje e rëndë në tentativë, sipas aktvendimit të Gjykatës në Pejë, akuzohet edhe për vepra tjera penale.
 

“Agron Gashi, i dyshuar për veprën penale, vrasje e rëndë e mbetur në tentativë nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.11 dhe 1.5, lidhur me nenin 28 të KPRK-së, veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së dhe veprës penale kanosje nga neni 181, paragrafi 2 të KPRK-së”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës së Pejës, më 24.05.2024.

“Të pandehurit (Agron Gashi) i caktohet paraburgimi mbi bazën e nenit 184, paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.2 pika, 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPP-së”, shkruan në aktvendimin e Gjykatës së Pejës.

Kurse, sa i përket masës së arrestit shtëpiak prej një muaji ndaj Liridona Gashiti, Gjykata e Pejës ka theksuar që “E pandehura Liridona Gashi, obligohet të qëndrojë në shtëpinë e saj dhe në asnjë mënyrë pa lejën e Gjykatës nuk guxon të largohet nga shtëpia e saj, ku e ka vendbanimin, dhe vetëm për ndonjë arsye urgjente shëndetësore”.

Sipas Gjykatës, në rast të mos respektimit të masës së arrestit shtëpiak e pandehura Liridona Gashi njoftohet se ndaj saj mund të caktohet masa e paraburgimit.

Seanca dëgjimore në të cilën Gjykata në Pejë vendosi masën e paraburgimit ndaj Agron Gashit dhe masën e arrestit shtëpiak ndaj Liridona Gashit, u ndërpre për disa orë.

Seancën e ka ndërprerë gjyqtari i procedurës paraprake, Shaqë Curri, pasi që mbrojtja nuk mund të deklarohej pa marrjen e provave nga Prokuroria. Seanca vazhdoi në ora 20:00.

21-vjeçari ishte arrestuar në mesditën e datës 23.05.2024, nën dyshimet për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë, kurse sipas dosjes për shkak të gjendjes së të dëmtuarit janë në rrezik për jetë kualifikimi ligjor ndaj tij mund të ndryshojë.

Sipas dosjes, i dyshuari e kishte telefonuar të dyshuarën dhe e njëjta e kishte dërguar të dyshuarin në fshatin Qyshk, por kishte deklaruar se nuk e ka ditur se çfarë kishte bërë i dyshuari, vetëm kishte menduar se ishte rrahur me dikë.

Agron Gashi sipas dosjes së policisë është i dyshuar për 23 raste të ndryshme penale, kurse nga të dhënat e prokurorisë ka 10 aktakuza për vepra të ndryshme penale si dhe janë duke u zhvilluar hetime edhe për dy vepra tjera penale.

Sipas prokurorisë janë përmbushur kushtet e caktimit të paraburgimit të cilat janë rreziku nga arratisja; rreziku për të ndikuar në dëshmitarë dhe asgjësim të provave si dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale.

Kjo Prokurori kishte dhënë detaje mbi të kaluarën kriminale të këtij të dyshuari duke thënë se i njëjti ka pasur aktakuzë për rrezikim të trafikut publik dhe ka një kallëzim penal për kansoje ndaj prokurorit Qavolli që ndërlidhet me rastin e rrezikimit të trafikut publik.

“Ka qenë i akuzuar për rrezikim të trafikut publik, e ka shkelur një polic dhe ka ikur nga vendi ngjarjes. Ka qenë në arrati një kohë, është arrestuar, ka qenë në paraburgim. Njëkohësisht ky e ka edhe një kallëzim penal për kanosje ndaj prokurorit Ersan Qavolli. Në atë periudhë kur ka qenë për rrezikim të trafikut publik“, kishte thënë zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

Përveç dyshimit për kryerje të veprës penale të vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë ndaj tij rëndojnë edhe dyshimet për armëmbajtje pa leje.

I njëjti kur është intervistuar nga Prokuroria Themelore në Pejë nuk ka pranuar të flasë duke u mbrojtur në heshtje.

Kjo ishte konfirmuar nga prokurori Ersan Qavolli./Njeshi&/Kallxo.com/

 

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...