Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të rëndë në Fushë Kosovë, ku një person, shtetas i Serbisë ishte në përgatitje të veprës penale ‘vrasje’ dhe prezantohej rrejshëm si person zyrtar.
Policia një ditë më parë njoftoi se ka arrestuar të dyshuarin dhe gjatë kontrollit në banesën e tij janë sekuestruar dokumente të ndryshme.
Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë tha për Telegrafin se Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit R.B, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale ‘Përgatitja e veprës penale Vrasje’, ‘Prezantimi i rremë si person zyrtar’ dhe veprën penale ‘Mashtrimi’.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit R.B, ashtu që të njëjtit i caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji”, tha ajo. /Njeshi/