22.9 C
Pec
E shtunë, 13 Korrik, 2024

Policia e gatshme për ta zbatuar ndonjë urdhër të mundshëm për hapjen e urës e Ibrit, Kosova pret rekomandimin për heqjen e masave

Policia e Kosovës po pret urdhër që t’i heq pengesat mbi urën e Ibrit në Mitrovicë, e mbyllur që prej përfundimit të luftës më 1999. BE dhe KFOR kanë kërkuar që kjo çështje të trajtohet vetëm në kuadër të dialogut me Serbinë, ndërkohë që situata në veri vlerësohet ende e brishtë. Qeveria, ndërkohë, pret që këtë javë të kuptojë nëse do të rekomandohet heqja e masave ndëshkuese, të vendosura pas tensioneve të para një viti në atë pjesë të vendit.

Policia e Kosovës është e gatshme që ta ekzekutojë çdo urdhër të mundshëm për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, e cila e ndan Mitrovicën në pjesën jugore të banuar me shumicë shqiptare dhe pjesën veriore, të banuar kryesisht nga serbët.

Çështja e urës së Ibrit u riaktualizua në fund të majit.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani i tha T7 se “nuk ka diçka të re”, por se do ta ekzekutojnë çdo urdhër të mundshëm për hapjen e urës.

“Nuk ka diçka të re, nuk ka diçka të re. Dëgjo, ne i mbesim qëndrimit që çdo vendim i Qeverisë dhe i vendit tonë e eprorëve tanë do të ekzekutohet”, tha Elshani.

Ai ka thënë më 29 maj se po diskutonin për këtë dhe se “është vetëm në pyetje koha se kur kjo urë do të hapet dhe si do të hapet”.

Asambleistët e Lëvizjes Vetëvendosje, në një seancë të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut kishin kërkuar që të zbatohej një vendim i mëhershëm për hapjen për qarkullim të urës.

Komuna aktualisht udhëhiqet nga Erden Atiq i LVV-së.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë ka thënë se ura s’mund të hapet pa pëlqimin e komunitetit serb.

Bashkimi Europian thotë se çështja e urës mbi lumin Ibër duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi në Bruksel.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë “hapja e urës është pjesë e dy marrëveshjeve”, por se përkundër përpjekjeve ajo “ka mbetur e mbyllur për trafik”.

“Pasi kjo është pjesë e dialogut, gjithçka duhet të diskutohet dhe të vendoset në dialog me pjesëmarrjen e Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Stano përmes një deklarate për media më 31 maj.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka kërkuar gjithashtu që çdo vendim për urën mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut.

Një vendim për hapjen e urës ishte marrë në Kuvendin e Mitrovicës së Veriut në prill të vitit 2023, por nuk është zbatuar.

Kosova dhe Serbia ishin pajtuar në dialog që ura të hapej për qarkullim, por në praktikë gjendja nuk ka ndryshuar. Ura mbetet e barrikaduar. E hapur është vetëm një vijë anash për këmbësorë.

Kosova, ndërkaq, mbetet nën masa kufizuese nga Bashkimi Europian që prej një viti, si pasojë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të vendit, kur kryetarët shqiptarë ishin futur në komunat veriore me ndihmë të Policisë, pas zgjedhjeve të bojkotuara nga serbët. Masat përfshijnë suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale.

Këtë javë vendi pret të kuptojë se çfarë përmban një raport që përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell do t’ua paraqitesë vendeve anëtare të bllokut rreth përmbushjes së kushteve nga ana e Kosovës për heqjen e masave.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha të enjten se në raportin e Borrellit “do të rekomandohet heqja e masave”./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...