Presidenca e Republikës së Kosovës ka shprehur urimet dhe mbështetjen e saj për nominimin e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT) dhe drejtoreshës së saj, Feride Rushiti, për Çmimin Nobel për Paqe.
KRCT ka qenë një partner i rëndësishëm i Presidencës së Kosovës ndër vite, duke luajtur një rol thelbësor në organizimin e Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, si dhe në avancimin e agjendës për këtë çështje në Kosovë.
Kjo organizatë ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në rehabilitimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe ka ndihmuar në ndërtimin e politikave që përmirësojnë mirëqenien dhe statusin e kësaj kategorie në shoqërinë kosovare.
Përveç punës në Kosovë, KRCT njihet ndërkombëtarisht për ndihmën e saj ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale në konflikte të ndryshme në botë, duke ndarë përvojën dhe praktikat e saj si një model mbështetës.
“Një falënderim i veçantë është adresuar edhe për deputetin suedez, Magnus Jacobsson, i cili ka dorëzuar zyrtarisht propozimin për këtë nominim te Komiteti Nominues i Çmimit Nobel për Paqe. Jacobsson ka qenë një mbështetës i kauzës, duke marrë pjesë në ngjarje që trajtojnë dhunën seksuale gjatë luftës, përfshirë Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë”, thuhet në njoftim.
Ky nominim përbën një njohje të rëndësishme për përpjekjet e vazhdueshme për drejtësi dhe paqe, si dhe për rolin që KRCT dhe Feride Rushiti kanë luajtur në fuqizimin e të mbijetuarve dhe avancimin e të drejtave të tyre./Telegrafi/