Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës pjesë e takimit të pestë të nivelit të lartë për Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në SHBA
Gjatë ditës së djeshme, u hapën punimet e takimit të pestë të nivelit të lartë të Rrjetit të Pikave Kryesore për Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Uashington DC, SHBA. Kabineti i Presidentes Osmani, i cili po përfaqësohet nga Zëvendësshefja e Stafit, znj. Learta Hollaj, dhe Këshilltarja, znj. Dora Musa, rikonfirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës drejt avancimit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, jo vetëm në rajonin e Ballkanit, por edhe më tej.
Pjesë e delegacionit të Kosovës në këtë takim janë edhe deputetet, znj. Jeta Statovci dhe znj. Albena Reshitaj. Po ashtu, në këtë takim është përfaqësuar edhe shoqëria civile përmes znj. Feride Rushiti (KRCT), znj. Valmira Rashiti (Rrjeti i Grave të Kosovës) dhe znj. Kadire Tahiraj (Qendra e Promovimit te Drejtave te Grave).
Takimi do të vazhdojë përgjatë gjithë javës në kuadër të së cilit do të diskutohet ngushtë mbi zhvillimet e fundit në lidhje me Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, të ardhmen e saj, si dhe identifikimin e mundësive për krijim të partneriteteve në drejtim të avancimit të kësaj agjende.
Përndryshe, Kosova, me iniciativë të Presidentes Osmani, këtë vit organizon për herë të dytë forumin ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Avancimi i agjendës WPS në Kosovë po mbështetet fuqishëm nga SHBA-të, respektivisht nga Zyra e Sekretarit të Shtetit për Çështjet Globale të Grave./RADIO 1&Njeshi/