Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Armanda Begaj, u prit sot në një vizitë shtetërore në Kazakistan, nga presidenti i Republikës së Kazakistanit, Kasim Xhomart Tokajev (Kassym-Jomart Tokayev).
Kjo vizitë vjen në 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes vendeve.
Presidenti Bajram Begaj vlerëson se agjenda në Astana fokusohet në forcimin e bashkëpunimit ekonomik, por vëmendje të veçantë mori diskutimi për vendosjen e një linje direkte ajrore me Tiranën, në kushtet e lulëzimit turistik të vendit tonë.
“Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimeve tregtare, gjetjen e mundësive të bashkëpunimit midis dy vendeve në fusha me interes reciprok, siç mund të jenë energjia, infrastruktura, bujqësia apo nxjerrja dhe përpunimi i mineraleve”, tha ai.
Në funksion të afrimit të mëtejshëm të dy vendeve, Presidenti Begaj tha se një çështje me rëndësi tjetër që u diskutua ishte dhe hapja e një Ambasade të Kazakistanit në Shqipëri, e cila u mirëprit nga ana e Presidentit Tokayev.
Në qendër të vëmendjes gjatë takimeve ishte edhe turizmi.
Në këtë kuadër, Presidenti Begaj tha se interes tjetër të veçantë pati në drejtim të vendosjes së një linje ajrore të drejtpërdrejtë ndërmjet Kazakistanit dhe Tiranës, e cila do t’i shërbejë turizmit.
Kreu i Shtetit i bëri ftesën Presidentit Tokayev për të vizituar Shqipërinë.
Gjatë vizitës së tij shtetërore në Kazakistan, presidenti Begaj zhvilloi një takim edhe me kryetarin e Senatit të Republikës së Kazakistanit, Maulen Ashimbajev (Maulen Ashimbayev).
Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Kazakistanit u vendosën më 21 shtator 1993./Njeshi/