18.5 C
Pec
E shtunë, 19 Prill, 2025

Presidenti i Sierra Leones demanton Serbinë për “ç’njohje”, thotë se do të forcojnë lidhjet me Kosovën

Presidenti i Sierra Leones, Julius Maada Bio, ka njoftuar për “një takim miqësor” me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit të tij në Turqi.

Në një postim në rrjetet sociale, ai ka shprehur kënaqësinë për këtë takim, duke vënë në pah gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Ndjehem tepër mirë që pata rastin ta takoj presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Ne ramë dakord të forcojmë lidhjet dypalëshe midis Sierra Leones dhe Kosovës, duke u angazhuar për të bashkëpunuar në iniciativa të ndryshme që do të përfitojnë të dy kombet”, ka shkruar ai.

Kujtojmë se Sierra Leone e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës më 11 qershor 2008.

Megjithatë, Serbia në vazhdën e fushatës së saj për të minuar shtetësinë e Kosovës, kishte pretenduar në të kaluarën se Sierra Leone e kishte tërhequr njohjen.

Këto pretendime nuk janë konfirmuar asnjëherë zyrtarisht nga autoritetet në Freetown.

Takimi i fundit mes Presidentit Bio dhe Presidentes Osmani vjen si një sinjal i qartë i përkushtimit të dy vendeve për të thelluar lidhjet diplomatike dhe për të promovuar bashkëpunim të ndërsjellë në fusha me interes të përbashkët. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...