6.4 C
Pec
E diel, 3 Mars, 2024

Presidentja ende nuk ka bërë ftesë, opozita e gatshme të merr pjesë në takim lidhur me draft-statutin për autonomi te zgjeruar

Para tri dite, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar një takim me partitë opozitare në lidhje me draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ajo tha se pas dorëzimit të draftit edhe te partitë opozitare do t’i thërrasë ato në takim ditëve më vijim për t’i marrë shqetësimet e tyre sa i përket draftit të dorëzuar nga ndërmjetësit.

Sidoqoftë, partitë opozitare ende s’kanë marrë ftesë nga presidentja Osmani.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, sot tha kurdo që i shkon ftesa nga shefja e shtetit, do t’i përgjigjet.

“Natyrisht se po. Por, këto qëndrimet që po i bëj publike, do t’i bëj edhe në takim. Për LDK-në, ndonëse është ende lexim i imi si kryetari i partisë, ne do të presim Kryesinë për të marrë qëndrimin përfundimtar, por për LDK-në draft-statuti është një autonomi e zgjeruar territoriale me tendencë drejt federalizimit. Dhe këto pikëpamje do t’i bëjmë publike gjithandej”, tha ai.

Edhe PDK dhe AAK kanë konfirmuar më herët për Gazetën Express se s’kanë pranuar ende ftesat.

Për këtë sot foli për Express edhe Bekim Kupina, këshilltar për Media i Presidentes, i cili tha se do t’i ftojnë “së shpejti”.

“Për datën e takimeve të Presidentes Osmani me opozitën, ju njoftojmë së shpejti”.

Tri partive opozitare parlamentare iu dërgua draft-statuti i Asociacionit nga Bashkimi Europian pas një kohe të mbajtur në konfidencialitet.

Edhe AAK ka dhënë një qëndrim fillestar pasi e ka parë draftin e Asociacionit, ndërsa ka thënë se “komentet e AAK-së me vërejtjet nen për nen do të publikohen në ditët në vijim”.

“Kryesia e AAK-së ka zhvilluar një diskutim me tone shumë kritike për draft-statutin e Asociacionit. Janë shprehur shqetësimet për përmbajtjen e tij, veçanërisht për referimin në Rezolutën 1244, komisionin e arbitrazhit, si dhe raportin paralel të Asociacionit me institucionet e pushtetit qendror”, kishte njoftuar AAK.

Ndërkaq, nga Partia Demokratike e Kosovës – subjekti më i madh opozitar në vend – nuk dhanë ndonjë koment në lidhje me të.

Deputetja e kësaj partie, Ariana Musliu – Shoshi, u shpreh e rezervuar, duke thënë shkurtimisht se deputetët e PDK-së nuk e kanë marrë draft-statutin e Asociacionit për ta lexuar dhe shqyrtuar, pasi drejtuesit e partisë nuk ua kanë dorëzuar.

Draft-statuti i hartuar nga diplomacia perëndimore iu dorëzua Qeverisë së Kosovës, ashtu si edhe asaj të Serbisë, në fund të tetorit.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ka qenë i gatshëm ta nënshkruajë, por që pala serbe s’ka pranuar të hedhë nënshkrim edhe pse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte deklaruar se dokumenti është i pranueshëm për të.

Pozitë dhe opozitë kanë diskutuar në Parlament për draft-statutin e ri të dorëzuar nga ndërmjetësit, por opozitarët ishin ankuar se po diskutojnë për një gjë që s’e kanë parë, derisa Kurti kishte thënë se ka qenë kërkesë strikte e ndërmjetësuesve që drafti të mbahet konfidencial për një kohë. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...