Robert F. Kennedy Jr. ka tërhequr sërish vëmendjen e publikut, këtë herë me pretendimet për gjurmët e dyshuara kimike.
Në një intervistë me Phil McGraw (i njohur më mirë si Dr. Phil), Kennedy, në cilësinë e Sekretarit të Shëndetësisë së SHBA-së, premtoi t’i jepte fund këtij fenomeni krejtësisht të pabazë.
Si i ftuar në emisionin Primetime, Kennedy mbështeti pretendimet e një shikuesi në audiencë rreth “injeksioneve aerosol” të aluminit, stronciumit dhe helmeve të tjera të supozuara që teoria e konspiracionit pretendon se po spërkaten nga aeroplanët e qeverisë amerikane.
“Kjo nuk ndodh në agjencinë time. Ne nuk e bëjmë, mendojmë se e bënë DARPA. Unë do të bëj gjithçka që kam në dorë për ta ndalur këtë. Ne po sjellim një person që do të merret ekskluzivisht me këtë dhe do të zbulojë se kush po e bën dhe t’i sjellë para drejtësisë”, shtoi ai.
Megjithëse teoria e gjurmëve kimike ka qarkulluar në internet prej vitesh, komuniteti shkencor ka sqaruar vazhdimisht se ato janë thjesht kontrail, re të formuara kur shkarkimi i motorit reaktiv (që përmban avujt e ujit dhe grimcat e blozës) përzihet me ajrin e ftohtë dhe të lagësht në lartësi të mëdha.
Ato janë kristale akulli, të ngjashme me retë e përkohshme.
Pavarësisht kësaj, sipas një sondazhi të vitit 2017, rreth 10% e amerikanëve besojnë plotësisht në teorinë e gjurmëve kimike, ndërsa një shtesë prej 20 deri në 30% mendojnë se mund të jetë të paktën pjesërisht e vërtetë.
Edhe pse më parë nuk ka pasur një korrelacion të qartë me përkatësinë politike, mbështetësit e teorisë priren të jenë të krahut të djathtë.
Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që Kennedy flet për gjurmët kimike; gushtin e kaluar, ai iu përgjigj një përdoruesi në platformën X, i cili i përmendi ato duke thënë: “Ne do ta ndalojmë këtë krim”.
Gjatë intervistës së tij me Dr. Phil, Kennedy përsëriti pretendimet e tij të zhvlerësuara shpesh për vaksinat.
Ai përsëriti pretendimin e tij se autizmi është një “epidemi”, megjithëse këtë herë ai nuk sugjeroi se fëmijët me autizëm “nuk kanë të ardhme”. /Njeshi/