13.1 C
Pec
E mërkurë, 17 Prill, 2024

Prindërit në pritje të mjeteve për libra, MASHT nuk tregon kur del pjesa e dytë e parave

Mbi 115 mijë është numri i prindërve që kanë aplikuar për të përfituar nga subvencionimi i librave shkollor për fëmijët e tyre. Por jo të gjithëve prej tyre u kanë dal paratë. Ditë më parë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se mjetet kanë dal vetëm për 81 mijë aplikues. Për pjesën tjetër tha se do të dalin ditëve në vijim. Express ka provuar të marr një përgjigje nga MASHT se kur pritet të dal pjesa e mjeteve për grupin tjetër, por ata s’kanë kthyer përgjigje.

E prindërit, janë ata që po presin.

Dje në një postim të Nagavcit ku shkroi për një Memorandum Mirëkuptimi me Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e e të Mbijetuarve të Torturës, ishin të shumtë prindërit që në komente i kërkuan llogari Nagavcit pse nuk u janë transferuar mjetet në llogari.

“E paret per librat e shkolles kur dalin”, ishte njëri nga komentet.

Të tjerë thonin që mësuesit po u kërkojnë fëmijëve librat por që s’kanë para t’ua blejnë.

Probleme po kanë edhe prindërit që po i blejnë librat për fëmijët e tyre.

Sipas raportimeve, në librari ata po duhet që të presin me orë të tëra për shkak të rendit.

Po ballafaqohen edhe me mungesë të disa librave.

Aplikimi për subvencionimin e librave do të jetë i hapur deri më fund të muajit shtator.

“Nga të gjitha këto aplikime, janë identifikuar vetëm 75 raste me gabime për të cilat prindërit do të njoftohen për rishikimet e nevojshme. Sikurse kemi njoftuar edhe më herët, aplikimi do të jetë i hapur gjatë gjithë muajit shtator në mënyrë që të sigurohemi që asnjë nxënës për çfarëdo arsye të mos mbetet pa tekste shkollore. Ju sigurojmë se çdo rast i adresuar do të trajtohet me prioritet dhe do të ofrohet ndihma e nevojshme për aplikim dhe përfitim të këtyre mjeteve”, ka shkruar Nagvaci.

Ministrja ka bërë të ditur se në rast të identifikimit ku shtëpitë botuese abuzojnë me çmime, do adresohet tek autoritetet kompetente.

“Shtëpitë botuese kanë publikuar katalogjet e teksteve mësimore me çmimet përkatëse dhe janë zotuar se çmimet nuk do të rriten. Çdo identifikim i abuzimit me çmime të teksteve ose ofrimit të teksteve pa pasur vendim të MASHTI si dhe çfarëdo rasti tjetër i kësaj natyre, do të adresohet tek autoritetet kompetente”, ka shtuar tutje ministrja.

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...