3 C
Pec
E enjte, 30 Mars, 2023

Prishtinës i shtohen edhe tre shkolla të reja

Komuna e Prishtinës me buxhetin e vitit 2023, ka planifikuar ndërtimin e tri shkollave të reja, në vlerë prej mbi 12 milionë eurosh. Drejtues të shkollave dhe njohës të arsimit, vlerësojnë se është shumë e nevojshme ngritja e kapaciteteve infrastrukturore në kryeqytet pasi që shumë shkolla po përballen me numër të madh të nxënësve në paralele.

Mbi 12 milionë euro do t’i kushtojë Komunës së Prishtinës ndërtimi i tri shkollave të reja, që është planifikuar të ndërtohen në kryeqytet me buxhetin e vitit 2023.

Se kryeqyteti ka nevojë për ndërtimin e objekteve të reja shkollore, e thonë edhe drejtues të shkollave, pasi shumica e tyre përballen me numër të madh të nxënësve. Njëra  prej tyre është Shkolla fillore “Pavarësia,  për të cilën komuna ka ndarë buxhet për ndërtimin e një aneksi. Drejtori i kësaj shkolle, Shefki Rusinovci i tha Radio Kosovës se ka vjet që kjo shkollë përballet me mungesë të hapësirës shkollore dhe numër të madh të nxënësve nëpër klasa, përcjell Klankosova.tv.

“Këtë sfidë nuk e kemi vetëm këtë vit, por së paku për gjashtë vjet. Kemi bërë kërkese për ndërtimin e një aneksi për të krijuar hapësirë të mjaftueshme që në kushte normale të zhvillojmë procesin edukativo- arsimor.  Ky vit është më i ngarkuari dhe na ka detyruar që të nxjerrim një kalendar me tri ndërrime. Edhe pse kështu me tri ndërrime, prapëseprapë paralelet janë të ngarkuar me nxënës”, tha Rusinovci.

Edhe njohës të arsimit vlerësojnë se është i nevojshëm ndërtimi i objekteve të reja shkollore.

Rinor Qehaja nga Instituti “Edguard” në një përgjigje për Radio Kosovën, tha se investimet në infrastrukturë shkollore duhet të bëhen në mënyrë që të garantojnë që numri i nxënësve të mos ta tejkalojë numrin e lejuar pasi ndikon në mësimdhënie.

“Mbipopullimi i disa shkollave në qendra të mëdha vjen si rezultat i migrimit të brendshëm dhe si i tillë kërkon përgjigje institucionale. Dhe kjo nënkupton që të kemi një rialokim të nxënësve në këto lagje por edhe ndërtim dhe investim në infrastrukturë që do të na garantojë që numri i nxënësve të mos tejkalonte atë të lejuarin në institucionet tona shkollore”, tha Qehaja.

Ndërtimi i shkollave të reja është planifikuar të bëhet në lagjet Sofali, Mat dhe Veternik. Projekti do të jetë dyvjeçar ndërsa vlera e tij mbi 12 milionë euro. Ndërtimi i këtyre shkollave do të mundësojë që 2 mijë e 500 nxënës të vijojnë mësimin në lagjet e tyre ku jetojnë. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...