Marrëdhëniet e mundshme në të ardhmen në mes kryeministrit të tanishëm të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, është një temë që është diskutuar goxha shumë. Pikërisht për mundësitë e marrëdhënieve në mes Kurtit dhe Administratës Trump ka folur edhe Charles Kupchan, profesor amerikan në Universitetin Georgetoën në ShBA.
Në një intervistë për Radio Evropën e Lirë, Kupchan ka këshilluar kryeministrit Kurti në mënyrë publike. Sipas Kupchanit, Kurti s’do të donte të ishte personi që ia zë rrugën një përparimi të mundshëm dhe një marrëveshjeje që Trumpi do të donte ta prezantonte si të vetën.
“Nëse unë do ta këshilloja Kurtin, do t’i thojke ke kujdes, nuk do që të rreshtohesh në anën e gabuar të Trumpit, nuk do të jesh dikush që ia zë rrugën një përparimi të mundshëm dhe një marrëveshjeje që Trump do të donte ta prezantonte si të vetën” – tha Kupchan.
Kupchan ka theksuar se Qeveria e Kosovës duhet të shmang hapat që shihen si provokues. Tutje, Kupchan ka vlerësuar se Kosova duhet të bëhet sërish një përntere.
“Mendoj se nuk është e vështirë për t’u bërë. Ajo duhet të shmang hapat që shihen si provokues dhe të vinë në një situatë ku është e gatshme të ulet ballë përballë me Serbinë bashkë me Bashkimin Evropian atje dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës atje. Ajo duhet të bëhet sërish një partnere, e cila përpiqet t’i çojë hapat përpara” – tha Kupchan.
Kupchan ka folur në lidhje me masat e BE-së karshi Kosovës, që erdhën si pasojë e mungesës së përceptuar të hapave për deeskalimin e situatës në veri. Kupchan ka theksuar rëndësinë që kanë aleancat në sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Kosovës.
“Unë mendoj se gjëja e fundit që është në interes të Prishtinës është t’i djegë urat e saj me ato vende që janë tejet të rëndësishme për mirëqenien e saj dhe për integrimin e saj në komunitetin euroatlantik. Unë shpresoj që Kurti dhe udhëheqësit e tjerë potencial do ta kuptojnë këtë në fund të ditës dhe t’i kthehen të qenit partner më bashkëpunues, ashtu siç kërkon BE-ja dhe ShBA-ja” – tha Kupchan.
Ndërsa Tefta Kelmendi, anëtare e Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, ka treguar pritshmëritë që ka bashkësia ndërkombëtare ndaj Kosovës. Natyrisht, Kelmendi e përmendi themelimin e Asociacionit e Komunave me shumicë serbe si hapin e ardhshëm që bashkësia ndërkombëtare pret nga Kosova ta bëjë.
“Partnerët ndërkombëtarë mund ta adresojnë këtë çështje, duke e balancuar qasjen e tyre ndaj Kosovës dhe duke ia ofruar një lloj sigurie asaj, sidomos sa i përket njohjes nga pesë vendet mosnjohëse. Në këmbim të kësaj, Kosova do të ofronte bashkëpunim më të madh, duke mos e bllokuar themelimin e Asociacionit” – tha Kelmendi.
Sjellim ndër mend që shumë analistë e gazetarë kanë shprehur një dell shqetësimi për marrëdhëniet e mundshme mes Kurtit dhe Administratës Trump, posaçërisht nëse Richard Grenell emërohet në ndonjë pozitë.
Duke folur për Grenellin, Tim Judah, autor dhe gazetar i njohur, kishte theksuar se ka arsye për t’u shqetësuar veçanërisht për Qeverinë në Prishtinë.
“Nuk mendoj se z. Trump ka menduar ndonjëherë për Ballkanin. Ka disa njerëz rreth tij, si Richard Grenell, të cilët sigurisht se kanë menduar për Ballkanin.
Ajo që do të ndodhë, varet nga ata që do të emërohen në detyra të caktuara. Për shembull, a do të kthehet Richard Grennell, i cili luajti një rol të rëndësishëm më parë? A do të jetë sërish me ndikim? Në atë rast, mendoj se ndoshta ka arsye për t’u shqetësuar, veçanërisht për Qeverinë në Prishtinë” – ka thënë Judah./Njeshi/