26.4 C
Pec
E hënë, 15 Korrik, 2024

Projekti jofunksional prej 5 milionë eurove për digjitalizimin e arsimit, përplas Nagavcin dhe Bajramin

Kontrata e nënshkruar para 10 vjetësh mes Ministrisë së Arsimit dhe kompanisë austriake “Bit media e-Learning Solution GMBH & CO KG” për digjitalizimin e arsimit, ka shkaktuar përplasje mes ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci dhe kryetares së Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, njëherit deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami.

Kontrata e cila kap vlerën e rreth 5.6 milionë eurove parasheh se të drejtat autoriale mbi platformën “E-edukimi” i takojnë shtetit të Kosovës, mirëpo në Ministrinë e Arsimit askush nuk ka qasje.

Ministrja Nagavci gjatë raportimit në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, tha se kanë kërkuar auditim për këtë kontratë dhe se lëndën e kanë dorëzuar edhe në Prokurori.

“Kemi kërkuar auditim dhe e kemi dërguar në Prokurori më 28 maj 2024 dhe me 26 të muajit të kaluar kemi marrë përgjigje nga Prokuroria Speciale se janë duke grumbulluar të dhëna”, ka thënë Nagavci.

Ministrja më pas i ka drejtuar pyetje ish-ministres së Arsimit, Hykmete Bajrami se “në kohën kur i keni pranuar këto kredenciale a e ka shiku dikush a ka qenë funksional në atë kohë ai sistem”.

Pas kësaj pyetje nisi një debat verbal mes Nagavcit dhe Bajramit, ku kjo e fundit i kërkoj ministres që “mos të luajmë ping-pong”.

“Kemi parë që sistemi s’ka qenë funksional, ka qenë drejtori Fatmir Elezi që nuk ka pranuar të nënshkruaj një raport të pranim-dorëzimit. Ai ka thënë që përpos disa CD nuk kemi diçka tjetër. Ka qenë Bekim Kasumi i BIT Kosovës, partner i BIT Austrisë që ka thënë se Ministria e ka sistemin e gatshëm e në ministri kanë thënë se nuk kanë qasje, dhe kemi kërkuar nga i njëjti që eja dorëzoje qasjen se si ka mundësi me thanë që është bërë projekt 5 milionësh me taksat e qytetarëve dhe askush në Ministri nuk ka qasje. Ka qenë kohë e pandemisë kemi punuar me staf të kufizuar”, është shprehur Bajrami, raporton Telegrafi.

Ajo më pas është arsyetuar se Zyra e Auditorit ka thënë se sistemi nuk është funksional sepse ministria nuk e ka përgatitur harduerin.

“Dhe të pyeta a është bërë përpjekje për të përgatitu pjesën harduerike për projektin, në kohën time nuk është bërë pranim-dorëzim i projektit është krijuar qasje në projekt”, iu drejtua Bajrami, Nagavcit.

Ministrja e Arsimit më pas i është drejtuar Bajramit se “ju keni kërkuar të bëhet dorëzimi i kredencialeve për administrimin e platformës “E-edukimirks-gov.net” ku jepet emri i username-it dhe pasvordi. A ka konstatuar dikush a po punon a jo”.

Bajrami iu drejtua “Ministre sot ke ardh ti me raportua jo unë”. Nagavci ndërhyri sërish duke i thënë se “dakord nëse nuk doni me u përgjigj”.

E ish-ministrja Bajrami reagoi sërish kësaj radhe me tone me të ashpra “unë të tregova oj zonjë, të pyeta a e ki kriju harduerin”, dhe Nagavci i kthej përgjigje duke i thënë se nuk mundet ajo ta bëjë një gjë të tillë.

“Nuk ta kom lan unë, nuk është bërë asnjë pagesë në kohën time. Ka qenë Bekim Kasumi që e përmenda i cili ta kish bo share ty postimin kur është publiku raporti i audimit, lidhjet ata i kanë me juve”, iu drejtua sërish Bajrami ministres Nagavci.

E ministrja i kërkoi që të ketë më shumë korrektësi dhe etikë profesionale deputetes së LDK-së, raporton Telegrafi.

“Je kryetare e komisionit, je profesorësh, ke qenë ministre. E kisha prit së paku një pikë korrektëise prej jush, është jo etike jo profesionale me thënë se ta ka bërë share shkresën që unë e kam dorëzuar në Prokurori”, tha Nagavci.

E në fund kryetarja e Komisionit për Mbikëqyren e Financave Publike, Hykmete Bajrami kërkoi nga Prokuroria që të dalë më shpejt me të dhëna dhe se kushdo që është përgjegjës të shkoj në burg.

“Ky nuk është dashtë me qenë debat mes meje dhe ministres Nagavci, ky është një projekt që është nënshkruar nga Ramë Buja, është vazhduar dhe ka përfunduar në kohën e Arsim Bajramit. Unë në atë kohë si ministre kam kërkuar me pas qasje Ministria për të cilin ka paguar rreth 5.6 milionë euro, operatori është paguar nga banka austriake, mirëpo Qeveria e Kosovës ka kredi dhe i ka obligim atij. Kam kërkuar me pas qasje për ta parë nëse sistemi është funksional. I bëjë thirrje prokurorisë që të del më shpejt me rezultate dhe kushdo që është përgjegjës të jetë prapa grilave”, tha Bajrami.

Qeveria në vitin 2013 ka negociuar marrëveshjen për kredi të butë, përmes bankës austriake UniCredit Bank Austria dhe Qeverisë austriake si garantuese, e cila është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2014 dhe do të paguhet deri më 30 shtator 2032 në një vlerë totale prej 5,637,519 eurosh.

Bashkëpunimi me kompaninë austriake ka qenë i paraparë të vazhdohet deri më 2017. Qëllimi i projektit ka qenë të krijohej sistemi me dy module, për komponentin e mësimit elektronik dhe komponentin e digjitalizimit të provimit të maturës, si dhe serverët për vendosjen e sistemit të zhvilluar. /Telegrafi/Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...