24.3 C
Pec
E martë, 8 Korrik, 2025

Prokuroria dhe Policia koordinohen për punë më efikase në rajonin e Prizrenit

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, të enjten ka organizuar takim me Policinë rajonale të Prizrenit, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit dhe rritjes së efikasitetit në veprimet e përbashkëta ndërinstitucionale.

Në këtë takim, sipas njoftimit, kanë marrë pjesë Drejtori i Policisë Rajonale në Prizren kolonel Faton Alija, komandantët e stacioneve policore në Prizren, Suharekë, Dragash dhe Mamushë, shefat e hetimeve, udhëheqësit e njësive të specializuara, si dhe prokurorët.

“Në fokus të takimit ishin shkëmbimi i informacionit, koordinimi në fazat e hetimit, si dhe përmirësimi i procedurave të përbashkëta që ndihmojnë në luftën kundër kriminalitetit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Tutje theksohet se kryeprokurori Kryeziu ka theksuar rëndësinë e komunikimit të hapur, profesional dhe në kohë mes institucioneve, si faktor kyç për rritjen e besimit publik dhe funksionimin efikas të drejtësisë.

Ai, gjithashtu ka përmendur sfidat me të cilat ballafaqohet Prokuroria në baza ditore për trajtimin e veprave penale të ndryshme, duke adresuar çështje për përmirësim gjatë veprimeve hetimore të policisë, por pa lënë anash edhe adresimin e vetë kritikave.

Ndërkaq, Drejtori i Policisë Rajonale në Prizren kolonel Faton Alija, duke vlerësuar mbështetjen dhe bashkëpunimin me Prokurorinë e Prizrenit ka shprehur gatishmërinë “për bashkërendim të vazhdueshëm në të gjitha nivelet operative”.

Në takim janë diskutuar hapat konkretë që synojnë harmonizimin e veprimeve mes Prokurorisë dhe Policisë, me qëllim përmirësimin e cilësisë së hetimeve dhe forcimin e sundimit të ligjit.

“Takimi u konsiderua produktiv nga pjesëmarrësit, të cilët theksuan nevojën për vazhdimin e kësaj qasjeje bashkëpunuese për të garantuar që puna e këtyre institucioneve, përkatësisht e sistemit të drejtësisë të funksionojë në mënyrë transparente dhe në përputhje me standardet më të larta ligjore”, përfundon njoftimi./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...