Prokuroria në Prizren ka njoftuar për aksionin që u zhvillua sot atje e që përfundoi me tre të arrestuar për “Fajde” e “Detyrim”.
A.Th., I.Th. dhe J.Th. dyshohet se e kanë shfrytëzuar gjendjen e rënduar financiare të viktimës dhe të njëjtit i kanë dhënë para me kamata mujore prej 25 për qind.
Viktima e ka paguar disa herë kamatën mujore dhe kur nuk ka arritur ta paguajë të dyshuarit i kanë vënë kamatë javore të cilat më pas kanë qenë të papërballueshme për viktimën.
“Të pandehurit e arrestuar, dyshohet se duke shfrytëzuar gjendjen e rënduar financiare të viktimës, të njëjtit i kanë dhënë të holla me kamata mujore prej 25%. I dëmtuari disa herë ka paguar kamata, dhe kur i njëjti nuk ka arritur që t’i pagaj kamatat mujore, të pandehurit i kanë vënë kamata javore, me ç’ rast si rezultat i kamatave të larta, kanë arritur vlera të pa përballueshme për viktimën.”
Gjatë aksionit janë sekuestruar dy automjete, para të gatshme dhe prova tjera.
“Kontrolli është realizuar në regjionin e Prizrenit, ku pas grumbullimit të provave gjatë aplikimit të masave të veçanta hetimore në terren, të pandehurit janë arrestuar. Gjatë këtij aksioni, Prokurori i Shtetit, ka sekuestruar dy (2) automjete, të holla të gatshme dhe prova tjera materiale, në drejtim të veprës së lartëcekur. Të pandehurit e arrestuar, gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh, dhe brenda afatit ligjor, për të njëjtit, prokuroria do të parashtroj kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.”/Njeshi/