22.9 C
Pec
E shtunë, 13 Korrik, 2024

Prokuroria ka afat deri në shtator të shkurtojë listën e dëshmitarëve në rastin kundër ish-krerëve të UÇK-së

Në muajin e kaluar Zyra e Prokurorit të Specializuar, në rastin kundër ish-krerëve të UÇK-së, vendosi që të heq dorë nga 10 dëshmitarë dhe dëshmitë e 13 dëshmitarëve të tjerë, të dorëzohen me shkrim.

Një listë me sa më pak dëshmitarë që pritet të dëgjohen në këtë proces, pritet t’i dorëzohet Gjykatës Speciale, deri në shtator të këtij viti.

Nga ky institucion me seli në Hagë kanë thënë se është e pamundur të dihet se deri kur mund të zgjasë i tërë gjykimi, porse kanë thënë se trupi gjykues vazhdimisht ka lëshuar urdhra për Prokurorinë që ta përshpejtoj dinamikën dhe ecurinë e rastit.

“Në këtë pikë, është e pamundur të thuhet se sa do të zgjasë gjykimi i përgjithshëm në rastin Thaçi etj. Prokuroria ka bërë me dije se do të duhet deri në prill të vitit 2025 për paraqitjen e çështjes së tyre. Duke pasur parasysh këtë afat, Trupi Gjykues ka lëshuar disa urdhra për të përmirësuar sa më shumë rastin. Për shembull, Trupi Gjykues më 29 maj urdhëroi Prokurorinë që të japë një njoftim se si synon ta përmirësojë më tej çështjen e saj deri më 16 shtator 2024″.

“Paneli më pas do të caktojë një konferencë për statusin për të dëgjuar parashtresat e palëve lidhur me të. Numri i saktë i dëshmitarëve që do të thërrasë Prokuroria për të paraqitur rastin e tyre nuk dihet dhe listat e dëshmitarëve janë konfidenciale. Deri më 27 maj 2024, Prokuroria kishte paraqitur 67 deklarata të dëshmitarëve dhe kishte njoftuar në gjykatë se synon të paraqesë edhe 104 deklarata të tjera. Megjithatë, siç u shpjegua sapo, ata janë urdhëruar nga Trupi Gjykues që të japin një njoftim se si të përmirësojnë më tej çështjen e tyre. Pasi Prokuroria të ketë paraqitur çështjen e tyre, ekipet e mbrojtjes do të paraqesin rastet e tyre. Deri më tani, nuk ka të dhëna se sa dëshmitarë synojnë të thërrasin ekipet mbrojtëse për të dëshmuar dhe sa kohë do të zgjasë.”

Ndërkohë, që nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë thënë se deri më 21 qershor do të dorëzohet një plan i detajuar se si do të vazhdohet me rastin deri në vitin e ardhshëm.

ZYRA E PROKURORIT TË SPECIALIZUAR

“Në konferencën statusore të 27 majit, trupi gjykues urdhëroi ZPS-në të dorëzojë një plan të detajuar deri më 21 qershor 2024, duke përshkruar se si synon të paraqesë rastin e saj deri më 1 prill 2025 dhe të paraqesë një njoftim të mëtejshëm për listën e dëshmitarëve jo më vonë se 16 shtator 2024. Dorëzimi më i fundit i ZPS-së për dëshmitarët është nga 21 maj 2024. Informacioni që ju intereson në lidhje me numrin e dëshmitarëve do t’i dorëzohet gjykatës në një dosje jo më vonë se 16 shtator 2024.”

Shkurtimi i listës së dëshmitarëve në këtë proces, po vlerësohet i duhur, meqë sipas Amer Aliajt nga Fondi për të Drejtën Humanitare, dëgjimi i të gjithë dëshmitarëve të prokurorisë do të merrte shumë vite kohë.

“Për arsye sigurisht të kursimit të kohës, tani më prokuroria gjatë shyqrtimit ka hequr dorë nga dëgjimi i disa dëshmitarëve dhe edhe tani prokuroria do ta redukton listën e propozuar të dëshmitarëve sepse prokuroria ndoshta nuk ka nevojë të dëgjojë më shumë dëshmitarë për rrethana të njëjta dhe do të kursehet koha”, ka deklaruar Amer Aliaj – Fondi për të Drejtën Humanitare.

E sipas avokatit të akredituar Taulant Hodaj, zgjatja e këtij procesi e lënia në paraburgim e të akuzuarve do të ishte shkelje e të drejtave të njeriut.

“Tani pothuajse jemi që 4 vite të ndaluar, dhe kemi praktikën e gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut që nuk duhet të mbahen në kohë të paarsyshme në ndalim pa një vendim gjyqësor, dhe konsideroj se nëse bëhen 5 vite dhe ende nuk kemi vendim në bazë të praktikës së gjykatës evropiane konsiderohet se është në kundërshtim me konventën për të drejtat e njeriut”, ka theksuar Taulant Hodaj – Avokat i akredituar.

Procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit ka nisur në prill të vitit 2023, derisa në paraburgim janë që nga viti 2020.

Për një vit e dy muaj, janë dëgjuar rreth 105 dëshmitarë, në mesin e tyre edhe deklaratat e dëshmitarëve që ishin pranuar në prova me shkrim./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...