5.1 C
Pec
E enjte, 13 Shkurt, 2025
https://www.njeshi.com/wp-content/uploads/2024/04/Radio-1-1.png

Prokuroria nuk ushtron ankesë ndaj vendimit për lirimin e Gërvallës nga akuza për mosdeklarim të pasurisë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se nuk kanë ushtruar të drejtën e ankesës ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për lirimin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla nga akuza për mosdeklarim të pasurisë.

Kështu ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Prokuroria Themelore në Prishtinë.

“Prokurori i shtetit në konsultim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, bazuar sipas dispozitave të Kodit të Procedurës penale të Republikës së Kosovës, nuk kanë ushtruar ankesë ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, sepse nuk mund të ketë rezultat pasi që Gjykata Supreme ka marrë aktgjykim lirues”, thuhet në përgjigje e Prokurorisë.

Në përgjigjen e dhënë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, nuk është specifikuar se në cilin rast është nxjerrë aktgjykimi lirues nga Supremja.

Ndryshe, në rastin ndaj ish-prodekanit të Fakultetit të Mjekësisë, Ibrahim Rrudhani, i cili ishte dënuar nga Themelorja me 6 muaj burgim me kusht dhe 300 euro gjobë për mosraportim të saktë të pasurisë, dhe se vendimi ishte ndryshur nga Apeli, duke e dënuar me 300 euro gjobë, Supremja e kishte liruar nga akuza.

Sipas vendimit të Supremes ndaj Rrudhanit, të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se në rastet kur ka mosdeklarim të pasurisë nga zyrtari për shkak të neglizhencës, paraqet veprim të kundërligjshëm por se tërheq përgjegjësi kundërvajtëse dhe jo vepër penale.

“Nga përshkrimi ligjor i ligjit-përkatësisht nenit 17, qartë rezulton, se për mosdeklarim apo deklarim të pasaktë të pasurisë, të përfituar në mënyrë të ligjshme, nga neglizhenca e deklaruesit, paraqet veprim të kundërligjshëm, por tërheq përgjegjësi kundërvajtëse e assesi vepër penale, për faktin se norma shprehet “nëse nuk është vepër penale”, thuhet në vendimin e Supremes.

Andaj, sipas Supremes personi zyrtar do të ishte penalisht përgjegjës vetëm në rast se provohet se pasurinë nuk e ka deklaruar ose e ka deklaruar rrejshëm.

“Sipas këtij neni, zyrtari publik është penalisht përgjegjës, vetëm po që se pasurinë nuk e ka deklaruar fare apo e ka deklaruar rrejshëm (p.sh. kinse e ka trashëguar, ju ka dhuruar etj). Ngase e ka të përfituar në mënyrë të paligjshme dhe nuk mund të arsyetoj, se ka i ka ardh kjo pasuri”, tutje, thuhet në vendim. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...