Prokuroria e Shtetit pritet të nisë hetime në rastin e importeve të energjisë elektrike nga KESCO, për vitin 2024, pas dyshimeve për rritje të qëllimshme të kostove nga kompanitë e licencuara prej ZRrE-së, sidomos sa i përket transportit të energjisë elektrike përmes linjave ndërkombëtare.
Nisja e mundshme e hetimeve është konfirmuar në një përgjigje për media nga Kryeprokurori i Shtetit Besim Kelmendi.
Ai ka thënë shkurt se në ditët në vijim rasti pritet t’i dërgohet për “verifikim dhe hetim” prokurorisë kompetente.
Ky paralajmërim vjen pas raportimeve ku zbardhen “prapaskenat” e rritjes së kostove në import të energjisë elektrike, që vetëm për transport të energjisë, rritja ka shkuar në 907 për qind më shtrenjtë se në vitin 2023.
Dështimi i bursës Kosovës-Shqipëri (ALPEX) dhe marrëveshjet e dyshimta mes KESCO-s dhe kompanive që merren me tregtim të energjisë, dyshohet se kanë rritur çmimet e importit të rrymës në nivele ‘astronomike’ në vitin 2024 —kosto të cilën KESCO ka kërkuar ta bart mbi “kurrizin” e konsumatorëve kosovarë.
Kjo “anomali” e rrallë në historikun e blerjeve të energjisë elektrike nga KESCO, ku transporti i energjisë në raste rezulton shumëfish më i shtrenjtë se vetë blerja e rrymës, është konstatuar edhe në dokumentet publike që i’u kanë dorëzuar Zyrës së Rregulatorit të Energjisë (ZRrE)./Njeshi/