8.2 C
Pec
E shtunë, 2 Mars, 2024

Pse u lejua Kosova të blejë sistemin raketor “Javelin” pavarësisht kufizimeve ndërkombëtare që kishte, flasin ekspertët

Forca e Sigurisë së Kosovës, konfirmoi të enjten në mbrëmje se qeveria e Kosovës ka arritur marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për blerje të sistemit raketor antitank “Javelin” por dhe sisteme tjera te armatimit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nga ana tjetër është shprehur i zhgënjyer nga njoftimi se Shtetet e Bashkuara do t’i shesin Kosovës raketahedhës kundër tankeve, “Javelin”. Vuçiq, tha se “ky informacion është një zhgënjim i madh për Serbinë”. Njohësi i zhvillimeve politike, Driton Lajçi, ka thënë se FSK ka pasur njëfarë limiti për armë por që sipas tij me blerjen e Javelinit është bërë një tejkalim. Ai thotë se kur bëhet fjalë për luftë apo armë, nuk ka shaka.

“Kjo leje që i është dhënë Kosovës për të ngritur kapacitetet e saja ushtarake vjen si pasojë e efektit domino që ka pasur rasti i Banjskës”, ka deklaruar Lajçi.

“Rasti i Banjskës, është mesazh i qartë për Kosovën, Serbia nuk po bën shaka. Nuk mund të flasim se mund të ketë ndonjë sulm frontal ndaj Kosovës megjithatë se e nxit, e mbështet një lloj kryengritje në Kosovë, kjo është e besueshme, sepse e kemi provën”, ka shtuar Lajçi.

Nexhmedin Kastrati, pjesëmarrës në luftën e Bosnjës, ka deklaruar se të gjitha tentimet e Serbisë për sulme në Kosovë duhet të merren më me seriozitet.

Ai tha se raketat Javelin janë të sofistikuara dhe precize për shkatërrimin e të gjitha mjeteve të blinduara, dhe sipas tij kjo armë mund t’i shkatërrojë të gjitha mjetet e blinduara që Serbia mund t’i posedojë.

Në dhjetor të vitit 2018, Parlamenti i Kosovës miratoi ligjin për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në ushtri të Kosovës, një proces që do të zgjasë 10 vjet dhe nuk do të zëvendësojë forcat e NATO-s që vazhdojnë të kenë rreth 5 mijë trupa paqeruajtëse në Kosovë, disa qindra prej të cilëve janë amerikanë.

Raketa Javelin prodhohet që nga viti 1994 dhe për herë të parë është përdorur në Irak dhe Afganistan. Ajo u bë e njohur pas agresionit rus në Ukrainë, meqë është përdorur gjerësisht nga forcat ukrainase kundër tankeve ruse./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...