Emërimi i Luigji Biankos si nunc apostolik në Slloveni dhe delegat apostolik për Kosovën është pritur me gëzim nga Dioqeza Prizren – Prishtinë, thonë nga Ipeshkvia e Kosovës.
Ky emërim u bë nga Papa Leoni XIV, më 20 maj, vetëm 12 ditë pasi ai mori timonin e Selisë së Shenjtë në Vatikan, pas vdekjes së Papa Françeskut, më 25 prill të këtij viti.
Don Shan Zefi, vikar i Ipeshkvisë së Kosovës, thotë se emërimi i delegatit të ri apostolik për Kosovën ndodhi në një kohë të shkurtër nga papa i ri dhe se ky është një sinjal i mirë për vendin.
“…sepse edhe ky papë, qysh në fillimin e pontifikatit të tij, përnjëherë merret me çështjen e Kosovës. Prandaj edhe e ka emëruar këtë delegat për Kosovën, që e ka selinë në Lubjanë”, thotë Don Shan Zefi për Radion Evropa e Lirë.
Por, roli i Luigji Biankos nuk do të jetë krejtësisht i njëjtë në Slloveni dhe Kosovë.
Nunc apostolik është përfaqësuesi diplomatik më i lartë i Vatikanit në një shtet të caktuar – ngjashëm me ambasadorët e shteteve të tjera, si dhe përfaqësues i Papës pranë kishës katolike lokale.
Ndërkaq, sipas sqarimeve që më herët ka dhënë Vatikani, misioni i një delegati apostolik “nuk është i një natyre diplomatike, por i përgjigjet kërkesës për të plotësuar në mënyrë adekuate nevojat baritore të besimtarëve katolikë”.
Vatikani, për herë të parë, emëroi delegat apostolik për Kosovën në shkurt të vitit 2011. Ai u emërua nga Papa Benedikti XVI.
Arsyeja pse Vatikani nuk emëron nunc për Kosovën, por vetëm delegat apostolik, është sepse Selia e Shenjtë ende nuk e ka njohur formalisht Kosovën si shtet.
Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008 dhe, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, vendin e kanë njohur deri më tash 119 shtete.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Selisë së Shenjtë për të marrë një qëndrim lidhur me shqyrtimin e mundshëm të njohjes formale të pavarësisë së Kosovës, si dhe për të kuptuar pengesat apo konsideratat kryesore që ndikojnë në këtë proces. Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje.
LAJMI I PLOTË NË KËTË LINK. /Njeshi/