31.3 C
Pec
E shtunë, 22 Qershor, 2024

Publikimi i bisedës së shkurtër mes Kusarit dhe Radoiçiqit, reagimi i ish-inspektorit të AKI-së dhe deputetëve opozitarë

Ditë më parë është publikuar një bisedë e shkurtër mes shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe kriminelit serb Milan Radoiçiq.

Biseda më pak se një minutë ishte ndërmjetësuar nga Sllavko Simiq i Listës Serbe.

Kolege, kemi ardhur te Milani, dëgjohu me të”, i thotë Simiq deputetes së LVV-së.

“Në rregull”, ia kthen Kusari-Lila.

“Alo, (vendase) zemlajke, a po nihemi?”, e pyet Milan Radoiçiqi.

“Po, po të dëgjoj”, ia kthen Kusari-Lila.

Radoiçiq: “Qysh je? Qysh po kalon?

Kusari-Lila: “Qe, qe në Kuvend i kam pasur disa takime. Tash u lirova, po shkoj në shtëpi”.

E lidhur me këtë bisedë telefonike ka pasur reagime në vend.

Ish inspektori i AKI-së Burim Ramadani, përmes një reagimi në Facebook, Ramadani ka thënë se ‘raportimi’ tek Radoiçiq është cenim i sigurisë kombëtare.

Kjo pasi theksoi se gati 4 vjet pasi Radoiçiqit i ishte bastisur banesa dhe rreth 7 muaj pasi ishte futur në Listë të Zezë, Kusari “dëgjohet me zë duke folur Radoiçiqin në telefon”, dhe duke i “raportuar” që sapo i përfundoi takimet në Kuvend.

Ramadani i ka kërkuar Kusari-Lilës që të japë dorëheqje dhe të rrëfehet për të gjitha detajet.

“…Madje, duke i “raportuar” që sapo i përfundoi takimet në Kuvend dhe, pasi që u lirua (nga obligimet) po shkon në shtëpi.  Pra, në pak sekonda që dëgjohet telefonata, ajo më shumë ishte Raportim për agjendën ditore të Mimozës!  Mimoza, dorëhiqu sot dhe rrëfeu për të gjitha detajet me saktësi”.

“Hapja rrugën Prokurorisë të bëjë punën pa presionin e pushtetit”, shkroi Ramadani.

Reagime ka pasur edhe deputetë opozitarë.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ardian Kastrati, bisedën e cilësoi si të papranueshme dhe ka hedhur akuza të rënda në drejtim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Alo, ZEMLAKA! Për ata që po pyesin për koalicione. Me çiftin e Mimozës koalicion, a? Unë kurrë jo! NEIN!” shkruan Kastrati.

Sipas Kastratit, veprimet e Kurtit që nga viti 1999 kanë shërbyer në të mirë të interesave të Serbisë dhe Rusisë, dhe ai shton se “jo rastësisht ai ka në ekip çiftin e Mimozës, Surroit, e nipat e mbesat e komunistëve të Jugosllavisë që me veprimet e tyre po e zhbëjnë shtetin e Kosovës.”

Kastrati vijon të sulmojë atë që ai e quan një lidhje të dyshimtë politike mes Kusari-Lilës dhe Radojçiq, duke thënë se “Duhet me qenë shumë anti-shqiptar me arsyetu bisedën e Mimozës me ‘zemlakun’ e vet!”.

Deputeti gjithashtu përmend sanksionet e BE-së dhe SHBA-së ndaj Kurtit si një tregues të qartë të veprimeve të dyshimta dhe të papranueshme politike te liderit të Kosovës.

Kastrati konsideron se një ditë ata do të zgjohen nga ajo që ai e quan “anestezioni politik” dhe nuk do të vazhdojnë të përplasen “me kokë në mur”.

“Një fqinj i imi thoshte: ‘Zot jep mend aty ku ska’!”, duke sugjeruar në mënyrë të padiskutueshme se vendimet dhe veprimet e Kusari-Lilës dhe Kurtit nuk kanë asnjë lloj logjike apo arsyetimi të shëndoshë.

Ndërkaq, pas publikimit të videos ka reaguar edhe deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili.

Përmes një shënimi në Facebook, Kica-Xhelili thotë se shefja e deputetëve të LVV e shndërroi Radojqiçin nga një terrorist në një “Zemlak” miqësor.

“Sot, shefja e VV e shndërroi Milan Radojçiç nga një terrorist në një “Zemlak” miqësor. Kryeministri Kurti e ‘lau’ Oliver Ivanoviç duke e shndërruar nga një vrasës shqiptarësh në burrështetas të suksesshëm”, ka shkruar Kica Xhelili.

Deputetja opozitare thotë se pavarësisht që “u ka rënë perdja”, LVV vazhdojnë këtë valle patriotizmi të rrejshëm.

“Në krejt këtë valle patriotizmi të rrejshëm, vetëm një dilemë e kam. Si ka mundësi që kaq pafytyrësisht e vazhdoni vallen edhe pasi ju ka rënë perdja?”, ka shtuar tutje Kica-Xhelili.

Kjo bisedë telefonike është publikuar nga Nacionale. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...