20.5 C
Pec
E martë, 16 Prill, 2024

Punëtorët e Telekomit protestojnë pasi mbetën pa paga shkaku i bllokimit të llogarisë

Pjesëtarët e Federatës Sindikale të Telekomit të Kosovës kanë protestuar të martën, më 2 prill, para objektit kryesor që shfrytëzohet prej Telekomit në Prishtinë, si shenjë pakënaqësie për mosmarrje të pagës së muajit shkurt.

Llogaritë e Telekomit të Kosovës janë bllokuar në fund të muajit shkurt, si pasojë e një borxhi në vlerë të disa miliona eurove ndaj kompanisë tjetër telefonike Z-Mobile, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Menaxhmeti i Telekomit pati deklaruar se më 29 shkurt 2024, Telekomi kishte marrë njoftim për bllokim të llogarive.

Në protestën e së martës, Federata Sindikale e Telekomit të Kosovës, përveç kërkesës për zhbllokim të llogarive, ka kërkuar që Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës të bëjnë presion publik për hetim ligjor për dëmet që, sipas sindikalistëve, po i shkaktohen Telekomit.

“Kërkoj nga Kolegji i shkallës së dytë i Gjykatës Komerciale – sepse i ka mundësitë ligjore – sa më shpejt të marrë një vendim, sepse ne besojmë fuqishëm në vendimin e shkallës së dytë, sepse dy herë e kanë sjellë vendimin pozitiv, të mos na lënë pa paga, pasi pagat janë obligim ligjor me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë kryetari i Federatës Sindikale të Telekomit, Lamih Balaj gjatë protestës.

Gjykata Komerciale, në vendimin e shkallës së parë, e pati lënë në fuqi urdhrin përmbarimor, që detyronte Telekomin të paguante borxhin ndaj kompanisë Z-Mobile.

Më vonë, shkalla e dytë e kësaj Gjykate, e ka kthyer lëndën në rigjykim.

Palët janë ende nëpër procese gjyqësore.

Gjatë protestës së 2 prillit, sindikalistët nuk e kanë përjashtuar organizmin e protestave edhe para objektit të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, e as grevat e përgjithshme të punëtorëve të Telekomit, nëse nuk zhbllokohen llogaritë.

“Të gjithë ne kemi familje, 90 për qind nga ne jemi në kredi, dhe unë për vete kam marrë mesazh nga banka për mospagesën e kredisë”, ka thënë Balaj.

Mes tjerash, ai ka kërkuar nga Prokurori i Shtetit që të hetojë ato që i ka konsideruar “kontrata të dëmshme që janë nënshkruar në Telekomin e Kosovës”./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...