16.9 C
Pec
E hënë, 28 Prill, 2025

Putin sugjeron një administratë të përkohshme për Ukrainën si rrugë drejt përfundimit të luftës

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka sugjeruar se Ukraina mund të vendoset nën një formë të një administrate të përkohshme ndërkombëtare, me qëllim që të mundësohet mbajtja e zgjedhjeve në Ukrainë dhe nënshkrimi i marrëveshjeve të rëndësishme.

Qëllimi afatgjatë i një administrate të tillë do të ishte arritja e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës, tha Putin gjatë një vizite që i bëri Flotës Veriore në Murmansk më 28 mars, sipas agjencive ruse të lajmeve.

“Kjo është vetëm një nga opsionet. Nuk po them se nuk ka të tjera”, tha Putin.

Deklaratat e udhëheqësit rus vijnë pas bisedimeve të mbajtura në Paris nga shtetet që e mbështesin Ukrainën mbi mënyrat se si të forcohet pozicioni i Ukrainës brenda dhe jashtë fushëbetejës.

Putin tha se kjo ide mund të zbatohet “nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara, Shteteve të Bashkuara me shtetet evropiane” dhe me “partnerët dhe miqtë e Rusisë”.

Qëllimi do të ishte që “të mbaheshin zgjedhje demokratike dhe të vinte në pushtet një qeveri që gëzon besimin e njerëzve dhe më pas të nisnin bisedimet me të për një traktat të paqes”, tha Putin.

Për një kohë të gjatë, Putin është ankuar se autoritetet e Ukrainës nuk janë partnere legjitime për negociata sepse presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka vazhduar të qëndrojë në pushtet edhe pas përfundimit të mandatit të tij pesëvjeçar.

Zgjedhjet në Ukrainë duhej të mbaheshin në maj të vitit 2024, por sipas ligjit në Ukrainë, Zelensky vazhdon të jetë president derisa zgjedhjet e reja të mbahen. Por, votimet nuk mund të mbahen derisa të jetë në fuqi gjendja e luftës, që në Ukrainë është në fuqi që kur Rusia nisi pushtimin e shtetit fqinj në shkurt të vitit 2022.

Putin përsëriti qëndrimin e tij se udhëheqja aktuale e Ukrainës është jolegjitime, dhe për këtë arsye heziton që të nënshkruajë ndonjë dokument me të.

Presidenti rus po ashtu shprehu gatishmërinë e shtetit të tij për një marrëveshje paqësore, duke thënë se Rusia po “lëviz në mënyrë të sigurt drejt arritjes të të gjitha qëllimeve të deklaruara në fillim” të pushtimit. “Ka arsye për të besuar se do t’i arrijmë qëllimet”, tha ai.

Lajmi i plotë Radio Evropa e Lirë. /Njeshi.

 

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...