Në tri raste të ndryshme Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve t’i shpallë të vlefshme fletëvotimet të cilat ishin shpallur fillimisht të pavlefshme nga komisionerët.
Kjo pas ankesave të bëra nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në vendimin e djeshëm të PZAP-së është urdhëruar KQZ-ja që të shpallë të vlefshëm një fletëvotim që ishte shpallur i pavlefshëm gjatë numërimit të votave në Qendrën komunale të numërimit në Gjakovë.
Sipas ankesës së VV-së, që PZAP e ka cilësuar si të bazuar, fletëvotimi është shpallur i pavlefshëm pasi “shenja tik është vendosur në hapësirën për subjektin politik Vetëvendosje me një depërtim të lehtë të vijës jashtë katrorit, por jo në kundërshtim me rregullat zgjedhore”.
Një rast i ngjashëm kishte ndodhur edhe në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ku pas ankesës së VV-së, PZAP ka urdhëruar KQZ-në që të shpallë të vlefshëm edhe këtë fletëvotim.
Një fletëvotim është urdhëruar që të shpallet i vlefshëm dhe të përfshihet në rezultatin zgjedhor edhe në Pejë. Edhe për këtë rast VV-së kishte paraqitur ankesë pasi fletëvotimi ishte shpallur i pavlefshëm për shkak të “shenjës tik jashtë katrorit”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të premten në mbrëmje, është përmbyllur procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimit të votave të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime më 9 shkurt.
Gjatë javës së ardhshme nis numërimi i votave me kusht dhe nga diaspora/Njeshi/