16.7 C
Pec
E shtunë, 15 Qershor, 2024

Qentë endacakë në Prishtinë, një krizë e pazgjidhur nga Komuna e Prishtinës

Ani pse Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama po dhuron nga 50 euro në muaj për çdo adoptim të qenve endacak, problemi me qentë endacakë vijon të jetë i pazgjidhur. Qytetarët ende nuk kanë sigurinë që të lëvizin lirshëm nga qentë endacak të cilët ndodhen pothuajse në çdo lagje e rrugë të kryeqytetit.

Deri më tani, miliona euro janë shpenzuar për zgjidhjen e problemit të qenve endacakë, duke krijuar 23 pika ushqyese për strehimin e tyre, blerjen e çipave pas dyshimeve që qentë po vinë nga komuna të tjera, strehimoreve të shumta të premtuara nga çdo kryetar e kryeministër që ka qenë, prapë se prapë ky shihet si proces i dështuar, kjo pasi Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë vitit 2023 numri i sulmeve ndaj viktimave nga qentë endacakë ishte mbi 130.

Premtime të tilla ka bërë edhe kryeministri i vendit Albin Kurti, duke premtuar se do të hartojë strategjinë kombëtare për menaxhimin e qenve endacakë. Po ashtu, Kryetari i atëhershëm i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, atëherë ka deklaruar se ka dërguar letra qeverisë dhe presidencës së atëhershme për ta ngritur çështjen në nivel nacional të sigurisë, por, i cili nuk ka marrë përgjigje asnjëherë.

Edhe ish-Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka bërë premtime të tilla, por mision i pa përmbushur.

Në një intervistë të fundvitit në 2023-tën për KosovaPress-in, Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj ka theksuar se Qeveria ka bllokuar ndërtimin e strehimores sepse Ministria e Mjedisit ka kthyer mbrapa vendimin e Komunës duke mos i lejuar të ndërtojnë, sepse nuk ka qenë në plan zhvillimor komunal.

“Një prej projekteve të dështuara, është projekti i strehimores së qenve endacak, por lidhet me bllokadat e Qeverisë, sepse neve na u kthye prapa. E votuam lokacionin për ndërtimin e strehimores së madhe të qenve endacak, kurse Ministria e Mjedisit e kthen mbrapa vendimin tonë, dhe thotë nuk keni të drejtë me e ndërtuar, sepse nuk e keni të parapamë në plan zhvillimor komunal, i cili në fakt është shkruar në plan zhvillimor në vitin 2013 para 10 viteve, atëherë me të vërtetë nuk është parapa, por tash është emergjencë”, ka thënë Zogaj.

Tani, Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci ka paralajmëruar se deri në fund të shtatorit të këtij viti në Hajvali është duke u ndërtuar Qendra për Evakuim emergjent, një hapësirë prej tetë hektarësh, në të cilën është ndërtuar edhe qendra e veterinarisë.

“Jemi duke e krijuar një Qendër për Evakuim Emergjent, është një hapësirë prej tetë hektarësh ku po bëhet rrethoja, pritet që rrethoja të jetë e përfunduar brenda disa ditëve. Aty tanimë veçse është ndërtuar qendra e veterinarisë e cila është pajisur edhe me mekanizmin përkatës, janë angazhuar dy veterinarë dhe mendoj që deri në fund të muajit shtator do e kemi të përgatitur”, ka paralajmëruar ai.

Ndërsa, Zyrtari për Hapësira Publike në Komunën e Prishtinës, Habib Qorri ka shtuar se dy javët e fundit është rritur numri i kërkesave për adoptim të qenve endacakë dhe që nga viti 2022 deri më tani janë trajtuar mbi 3 mijë 400 qenë endacakë.

“Prej vitit 2022 deri më tani janë trajtuar mbi 3.400 mijë qenë endacak. Projekti nuk ka qenë, por është vendim, i cili është nxjerrë prej kuvendit të kryeqytetit, është duke vazhduar, nga java e kaluar veç ka filluar fushata vetëdijësuese për në opinion. Dy javët e fundit është rritur numri i kërkesave për adoptimin e qenve endacak, mirëpo ajo çka është me rëndësi, që jo vetëm kush e kërkon shkojmë dhe t’ia japim, por gjithsesi janë kushtet që duhet plotësuar, disa kushte minimale, që ata nuk guxojnë të shkojnë atje të trajtohen apo të keqtrajtohen në forma të ndryshme, mirëpo të kenë hapësirën e mjaftueshme siç është e paraparë edhe me udhëzim administrativ, mbikëqyrjen, kontrollin, ushqimin, të gjitha këto, në mënyrë që të mos e heqim prej rrugëve dhe të shkon atje të keqtrajtohet në ndonjë formë tjetër. Deri tani janë adoptuar diku mbi 70”, ka shtuar Qorri.

Gjithashtu, për kufizimin e lëvizjes së lirë nga qentë endacak, janë ankuar edhe qytetarët duke fajësuar Komunën e Prishtinës.

Qytetari, Vesel Veseli është shprehur se në ditët e sotshme më i vlefshëm është një qen endacak sesa qenia njeri. Sipas tij, është më mirë që ato 50 euro që jep komuna për çdo adoptues në muaj, të u jepet për ndihma sociale e personave me nevoja.

“Këto janë evidente, sa raste po i kemi që edhe fëmijët nënat po i kanë në dorë për t’i mbajtur, po i kafshojnë, plus nxënësit duke shkuar në shkollë po i kafshojnë dhe pengojnë që sa kohë. Ku janë këta, duhet me i qel sytë. Gjejnë arsyetim se unë do të kisha strehuar por po vijnë prej komunave të tjera. Një urdhëresë qeveritare nga lartë në secilën komunë obligo në terrenin e vet ti strehojë këta qenë endacak dhe t’i mbrojë popullatën, fëmijët, pleqtë e invalidët prej tyre.

Paskemi ardhë në ditë me qen një qen endacak më i vlefshëm sesa një fëmijë e një prind i joni. Nuk e di a jemi në tokë të bukës në këtë mënyrë apo çfarë. Duhet në masa sa më të shpejta me i lënë këto pallavra, sa më shpejt duhet me i eliminuar ose me i strehuar në vendin e duhur, kush të dëshiron sipas dëshirës le të adopton.50 euro, më mirë është atë buxhet me e hargjuar për ndihma sociale e varfanjakëve me ia dhënë, po më duket absurde se qeni po bëhet më i vlefshëm se njeriu..3:37 Po na kufizohet e drejta e lëvizjes së lirë që na garantohet me kushtetutë e me çdo ligj”, është shprehur Veseli.

Ndërkaq, Isak Gërguri ka shtuar se habitet nga Komuna e Prishtinës që nuk ndërmerr asgjë për qenët e pastrehë, e sipas tij projekti i 50 euro nuk duhet të bëhet.

“Çdo vend që dal, shumë më pengojnë dhe më habit rasti pse nuk po ndërmerr komuna diçka për këta qenë. Shumë raste unë i shoh, i sulmojnë fëmijët, është dëm i madh me i lejuar, komuna ka faj aty. Nuk më hyn në kokë ashtu, nuk bën jo 50 po 500 euro me qenë”, ka shtuar ai./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...