27.1 C
Pec
E mërkurë, 12 Qershor, 2024

Qeveria: BE-ja të mos bëjë shtrembërime në terren, masat të hiqen

Qeveria e Kosovës i është përgjigjur një paralajmërimi të BE-së se në raportin e shefit të politikës së jashtme, Josep Borrell, për mundësinë e heqjes së masave ndëshkuese ndaj Kosovës mund të përfshihet edhe mbyllja e filialeve bankare postare serbe në veri të vendit.

Këshilltari i zëvëndëskryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu, tha se Bashkimi Evropian duhet t’i largojë masat ndëshkuese e të padrejta ndaj Kosovës, duke konsideruar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e vendosura më herët, përmes marrëveshjes së Bratisllavës.

“Me mbajtjen dhe përfundimin e procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, nuk ka më asnjë kuptim vazhdimi i mbajtjes së masave. Situata në terren për të cilën padrejtësisht u akuzua Kosova për eskalim, tashmë ka muaj që është deeskaluar. Mbetemi në pritje të raportit të përfaqësuesit të lartë të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, në të cilin duhet të konstatohet përmbushja e obligimeve të marra nga autoritetet tona. Çfarëdo konstatimi i ndryshëm do të ishte i padrejtë, do të përbënte shtrembërim të zhvillimeve në terren dhe domosdoshmërisht keqpërdorim të njëanshëm dhe të pakuptimtë të masave nga ana e KE” tha Kadiu.

Sipas tij, në veri të vendit është rikthyer normalitetit dhe, siç tha, çdo ditë po punohet në integrimin e komunitetit serb, përtej tentativave dhe qasjes destabilizuese të fqinjit tonë verior. “Heqja e masave e cila është tejet e vonuar, nuk duhet të shtyhet për më tej në dritën edhe të zgjedhjeve të ardhshme në institucionet e Bashkimit Evropian. Ripërsërisim thirrjen, për heqjen e tyre sa më parë” tha Kadiu. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...