29.6 C
Pec
E martë, 23 Korrik, 2024

Qeveria i reagon Stanos: Raportin 48 faqësh për sulmin terrorist në Banjskë ia kemi dorëzuar BE-së vitin e kaluar

Qeveria e Kosovës i ka reaguar zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano i cili gjatë ditës së sotme tha se Kosova s’ka dorëzuar ende një raport për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë se Qeveria e Kosovës ka përpiluar një raport lidhur me sulmin terrorist e i njëjti është dorëzuar edhe në Bashkimin Evropian dhe secilit shtet anëtarë të tij.

“Si Qeveri e Republikës së Kosovës, brenda kompetencave tona, kemi përpiluar një raport 48-faqësh në lidhje me sulmin terrorist dhe paramilitar, të cilin ia kemi dorëzuar Bashkimit Evropian dhe secilit shtet anëtarë qysh vitin e kaluar. Këtë informacion besoj që zëdhënësi Stano duhet ta ketë. Nëse ai në deklaratat e tij të vazhdueshme e ka fjalën për raportin që duhet të përgatitet nga prokuroria e vendit, atëherë kjo është një çështje për të cilën duhet të kërkojmë përgjigje nga vetë ky institucion”.

Për Qeverinë e Kosovës është shqetësuese që edhe pas kaq muajsh, s’është ngritur ende aktakuzë ndaj Milan Radoçiqit, si dhe fakti që s’janë vendosur masa nga Bashkimi Evropian për Serbinë.

“Për ne, mbetet tejet shqetësuese dhe e pakuptimtë që edhe pas 9 muajve, në njërën anë nuk ka aktakuzë nga prokuroria e vendit për Millan Radoiçiq dhe në anën tjetër bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian, nuk ka ndërmarrë masa ndaj Serbisë, përkundër fakteve që dëshmojnë përfshirjen e saj në sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023. Rikujtojmë që Radoiçiq vazhdon të mbetet i lirë dhe rrezik potencial i vazhdueshëm për sigurinë dhe paqen në rajon”, tha Kryeziu.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano sot në konferencë për media ka thënë para gazetarëve se Kosova është ajo që duhet fillimisht të bëjë hetimin për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Stano tha se sulmi në Banjskë është diçka që ka ndodhur në territorin e Kosovës, dhe autoritetet kosovare janë përgjegjëse për hetim dhe ofrimin e një raporti të plotë, por që një gjë e tillë s’ka ndodhur ende dhe se BE-ja vazhdon të mos ketë rezultatet të hetimit për Banjskën.

“Në lidhje me hetimin ( për Banjskën). Fillimisht, hetimi duhet të bëhet nga autoritetet kosovare. Nëse po i referoheni incidentit në Banjskë, të 24 shtatorit, kjo është diçka që ka ndodhur në territorin e Kosovës dhe autoritetet kosovare janë përgjegjëse për hetimin dhe ofrimin e një raporti të plotë hetimi. Kjo nuk ka ndodhur ende, kështu që nuk mund të vazhdojmë pa pasur rezultatet e hetimit”, ka thënë Stano.

Ai e ka theksuar se si Kosovës, poashtu edhe Serbisë menjëherë pas sulmit u është bërë e qartë pozita e BE-së, por që siç tha Stano të gjitha gjetjet duhet të përfshihen në raportin final, që sipas tij ata ende se kanë pranuar deri tani.

“Menjëherë pas sulmit dhe ditë, javë e muaj më vonë, kemi bërë të qartë pozitën tonë se çka presim nga dy palët, si Kosova ashtu edhe Serbia kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen e mundshme ose mbështetjen e këtij sulmi të tmerrshëm nga ana serbe. Përsëri e gjithë kjo duhet të jetë objekt hetimi, dhe gjetjet do të përfshihen në raportin final, i cili me gjasë nuk është përfunduar ende ose të paktën, nuk na është vënë në dispozicion deri në këtë fazë”, tha Stano para gazetarëve./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...