Moskthimi i të hyrave vetanake nga Qeveria e Kosovës në komunat përkatëse u rendit si çështje emergjente në takimin e kësaj jave mes Asociacionit të Komunave dhe ekzekutivit.
Qeveria e Kosovës po i mban “peng” mbi 37 milionë euro të mbetura nga buxheti i komunave.
E këto mjete financiare, Asociacioni i Komunave të Kosovës po kërkon t’iu rikthehen komunave.
Në takimin e së hënës që patën me ekzekutivin, rikthimin e të hyrave vetanake, kryetari i këtij asociacioni, Sazan Ibrahimi e ngiriti si çështje emergjente, duke konsideruar se ky buxhet është marrë në mënyrë të padrejtë.
“Nëse hapen tenderat tani për shpenzimin e atyre mjeteve do të duhen disa muaj për fillimin e zbatimit të projekteve, dhe neve nuk dëshirojmë që këto projekte të zbatohen gjatë dimrit. Nuk mundesh të shtrosh asphalt gjatë periudhës së dimrit. Për këtë arsye është urgjente që niveli qëndror sa ma shpejt t’I kthej këto mjete të cilat I ka pezulluar në mënyrë të padrejtë të komunave të Republikës së Kosovës”, deklaroi ai.
Kritika për vendimin e ekzekutivit ka edhe zëvendëskryetari i Komisionit për Buxhet, Mërgim Lushtaku, ngase siç thotë ai, një gjë e tillë bjen në kundërshtim me ligjin.
“Është hipokrizi e madhe se si po mundohet të keqinterpretojë dhe t’ia merr buxhetin e komunave të Kosovës që realisht me ligj nuk lejohet t’ia marrë një pushteti tjetër. E sidomos atë buxhet të dekoncentroi në komunë dhe të tjera ku qytetarët dhe tatimpaguesit e një qyteti të caktuar dëshirojnë që ato taksa të investohen në komunat e tyre”, theksoi Lushtaku.
Në anën tjetër edhe Iniciativa në proges nuk e sheh të rrugës moskthimin e të hyrave vetanake të nivelit lokal.
Ndër të tjera, Asociacioni i Komunave të Kosovës në takimin e së hënës me Qeverinë kundërshtoi edhe faljen e tatimit në pronë, si dhe renditi si çështje emergjente kthimin e pronave nga Agjencia Kosovare e Privatizimit./Njeshi/