Qendra Kinematografike e Kosovës është institucioni qendror për zhvillimin dhe promovimin e artit filmik. QKK luan rol kyç në mbështetjen e kineastëve vendas, duke krijuar kushte për realizimin e filmave artistikë, dokumentarë dhe të metrazhit të shkurtër, si dhe duke përfaqësuar industrinë kinematografike të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Filmat e mbështetur nga Qendra kanë arritur suksese në festivale prestigjioze ndërkombëtare, duke dëshmuar talentin e kineastëve kosovarë.
Përmes punës së saj, Qendra Kinematografike jo vetëm që kontribuon në zhvillimin artistik dhe ekonomik të industrisë së filmit, por gjithashtu forcon identitetin kulturor dhe krijon ura të reja komunikimi mes Kosovës dhe botës – është shprehur drejtuesja e këtij institucioni.
Drejtoresha e QKK-së, Blerta Zeqiri, për RTV21 tha se ky institucion është forcuar shumë nga viti në vit. Por sipas saj, më 2025 presin të jetë akoma më i fuqishëm financiarisht.
Por fakti që Kosova edhe këtë vit, jo që nuk propozoi ndonjë film për çmimin “Oscar”, por nuk hapi as thirrje për të aplikuar, ky ka qenë lajmi që ka bërë më së shumti bujë në vend. Në përgjigjen e saj, Zeqiri premton se gjatë vitit 2025, filmi kosovar do të arrijë në Oscar.
Qendra Kinematografike e Kosovës nga 12 dhjetori ka shpallur të hapur konkursin për subvencionimin e projekteve filmike të metrazhit të gjatë artistik. Konkursi do të jetë i hapur deri më 12 janar 2025. /Njeshi/