18.8 C
Pec
E enjte, 23 Maj, 2024

QKRMT: Kosova nuk ka institucion të veçantë për paraburgimin e personave me çrregullime mendore

Kosova nuk ka institucion të veçantë për paraburgimin e personave me çrregullime mendore. Institucioni më i ngarkuar është Qendra e Paraburgimit në Prishtinë, për shkak të afërsisë me Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Kështu thuhet në raportin për vitin 2023 të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës. Në bazë të monitorimit të kësaj organizate thuhet se gjatë vitit të kaluar ka pasur rritje të numrit të rasteve të lëndimeve e vetëlëndimeve.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti përmendi rastin e parë të kompensimit të dhunimit seksual në burgun e Dubravës në vitin 2014.

“Këtë vit kemi dëshmuar një rast historik të suksesit, ku gjykata për herë të parë e bën përgjegjës institucionet shtetëror për shkeljen e të drejtave të të burgosurve. E kam fjalën për një viktimë, fatkeqësisht të vitit 2014, i cili kishte përjetuar dhunë seksuale brenda burgut të Dubravës dhe që nga ai vit e kemi mbështetur dhe përfaqësuar në procese gjyqësore, por njëkohësisht rasti si i tillë natyrisht që ka qenë traumatizues dhe përveç që është përcjellur në procedura gjyqësore, i është nënshtruar rehabilitimit në organizatë dhe intervenimeve shëndetësore varësisht nga nevoja që i ka paraqitur rasti në fjalë

Në shtator të vitit 2023 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte aprovuar pjesërisht kërkesë-padinë e viktimës dhe e detyron Ministrinë e Drejtësisë të jep kompensimin për dëme. Pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi Ministria e Drejtësisë e kompenson viktimën, ashtu siç është e paraparë me aktgjykim. Ky është rasti i parë i këtij lloji, ku Gjykata e bën përgjegjës institucionin shtetëror për shkeljen e të drejtave të të burgosurve”, deklaroi Rushiti.

Ky raport i monitorimit, Rushiti shtoi se shërben për gjenerimin e veprimeve konkreteve nga institucionet vendimmarrëse.

Në prezantimin e këtij raporti, Fatmire Haliti nga QKRMT, tha se kanë zhvilluar 19 vizita monitoruese.

“Ne si vend nuk kemi institucione të veçanta për paraburgimin e personave me çrregullime mendore, kështu që ata janë të shpërndarë në të gjitha qendrat e paraburgimit duke i vendosur në situata ndoshta sfiduese vet institucionet korrektuese për trajtimin e këtyre kategorive. Si institucion më i ngarkuar me persona me çrregullime mendore është Qendra e Paraburgimit në Prishtinë, për shkak të afërsisë që ka edhe me Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila është gjykata që e trajton më së shumti raste edhe po ashtu gjendet në afërsi të Institutit të Forenzikës së Kosovës…Në bazë të të dhënave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë përveç monitorimit që e kemi marrë nga monitorimi i institucioneve korrektuese, shihet që numri i përdoruesve (të substancave narkotike) është në rritje. Përqindja nga 14 që ishte në vitet e kaluara tashmë ka kaluar 16 për qind ”, u shpreh ajo.

Rritje ka pasur edhe të numrit të lëndimeve dhe vetëlëndimeve të të burgosurve në qendrat korrektuese.

“Vërehet që ka tendencë në rritje të rasteve të lëndimeve dhe vetëlëndimeve. Nëse marrim në mënyrë periodike nga viti në vit, prej vitit 2022 në vitin 2023 ka pasur një rritje prej 40 rasteve më tepër, 341 raste janë evidentuar në rastin 2022 të lëndimeve, ndërsa në vitin 2023 kanë qenë 381 raste të lëndimeve. Për këto raste gjatë vizitave monitoruese kur i kemi pyetur të burgosurit na kanë raportuar për mënyra të ndryshme të lëndimeve të cilat ndodhin qoftë përmes konflikteve në mes të burgosurve apo gjatë lëndimeve aksidentale në punë apo shëtitore apo edhe gjatë sportit.

E po ashtu ka pasur edhe raste të tilla që janë raportuar që kanë qenë nga përdorimi i forcës fizike prej stafit korrektues. Edhe numri i vetëlëndimeve ka shënuar një rritje, ku nga 125 vetëlëndime që kanë qenë të evidentuara zyrtarisht në vitin 2022, në vitin 2023, Departamenti Shëndetësor i Burgjeve raporton që numri ka qenë 189….Kemi pasur një vetëvrasje në vitin 2023”, shtoi Haliti teksa shtoi se numri i tentim vetëvrasjeve kanë qenë 24 raste.

Trajtimi i personave të privuar nga liria, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu tha se është e rregulluar në përputhje me standardet ndërkombëtare të drejtësisë penale dhe të drejtave të njeriut. Ai tha se po punojnë për krijimin e kushteve ligjore që personat e burgosur të trajtohen me dinjitet.

“Kemi punuar në tri ligje bazë për menaxhimin e institucioneve korrektuese, përkatësisht në Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, Ligjin për Shërbimin Korrektues dhe Ligjin për Shërbimin Sprovues. Këto ligje i kemi bërë të mundur që të dënuarve të ju njihen disa të drejta shtesë, përkatësisht të ju kthehen disa nga të drejtat që ju ishin hequr me ndryshimet ligjore të bëra nga qeveritë e kaluara…Kemi shtuar aktivitetet për luftimin dhe parandalimin e kontrabandës dhe për raste të kontrabandës kemi suspenduar zyrtarë korrektues dhe zyrtarë të tjerë të përfshirë. Kemi bashkëpunuar me organizata”, deklaroi ai.

Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani theksoi se ka rritje substanciale të buxhetit të Kosovës.

“Ka rritje substanciale të buxhetit nga ajo që nuk ka qenë as afër një milion euro buxheti, sot kemi buxhetin prej tetë milionë euro. Kemi kërkuar mbështetje në pajisje teknologjike më të avancuara, po ashtu edhe në pajisje të sigurisë të cilat do të na mundësonin avancimin tutje edhe përafrimin e standardeve ndërkombëtare….Si asnjëherë më parë vitin e kaluar kemi hapur konkurse, ku janë punësuar dhe janë në proces të punësimit afër 200 oficerë korrektues. Për herë të parë është hapur konkursi vetëm për gra ku janë punësuar 50 gra në institucionet tona korrektuese”, theksoi ai.

Në raportin e QKRMT-të për të drejtat e njeriut në institucionet korrektuese thuhet se të burgosurit e intervistuar u shprehën kryesisht të kënaqur me ushqimin që ju shërbehet. Po ashtu, theksohet se tri vaktet e ushqimit shërbehen nëpër salla të përbashkëta. /Njeshi&KP/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...