Në qytetin e Pejës u mbajt takimi informues me qytetarët, ku u diskutua e drejta e kompensimit për dëmet e shkaktuara nga institucionet publike.
Ky aktivitet synoi të fuqizojë qytetarët me njohuri ligjore dhe t’i udhëzojë ata për procedurat që mund të ndjekin kur ndihen të dëmtuar nga veprimet ose mosveprimet e institucioneve shtetërore.
Gjatë takimit, pjesëmarrësit u informuan për bazën ligjore që garanton të drejtën për kompensim, përfshirë mundësinë për të paditur institucionet publike në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamentin për Çështje Administrative, që ka juridiksion për këto lloj padish në të gjithë territorin e Kosovës.
U prezantuan gjithashtu raste konkrete të trajtuara në gjykata, të cilat shërbejnë si shembuj frymëzues për qytetarët që kërkojnë drejtësi. Po ashtu, u theksua roli i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas – Republika e Kosovës, e cila ofron mbështetje ligjore për qytetarët që nuk kanë mundësi financiare për të përballuar shpenzimet e një procedure gjyqësore.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Promovimi i procedurave të drejta administrative për qytetarë dhe biznese”, me mbështetje të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë./Njeshi/