11 C
Pec
E shtunë, 2 Mars, 2024

Qytetari del kundër vendosjes së kamerave me inteligjencë të lartë artificiale në Prishtinë, dorëzon ankesë

Qytetari nga Prishtina, Fatmir Kabashi ka dërguar ankesë në adresë të Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), Policisë së Kosovës, Anëtarëve të Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Zyrës së Avokatit të Popullit lidhur me paralajmërimet për vendosjen e kamerave me inteligjencë të lartë artificiale në Prishtinë.

Në shkresën elektronike të Kabashit thuhet se ankesa ka të bëjë me paralajmërimet për vendosjen e kamerave me inteligjencë artificiale pa aprovim të bazës ligjore paraprake nga Kuvendi i Kosovës.

Lexoni të plotë ankesën e tij:

Në vijim është shkresa elektronike e dërguar nga ana ime në adresë të Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), Policisë së Kosovës, Anëtarëve të Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Zyrës së Avokatit të Popullit; Kopje për të gjithë ekzekutivin dhe të gjithë asamblistët e Komunës së Prishtinës.

Datë: 9 Janar 2024 (e martë), ora 12:36

A N K E S Ë – KUNDËR VENDOSJES SË KAMERAVE ME INTELIGJENCË ARTIFICIALE NË PRISHTINË / KOSOVË, PA APROVIM TË BAZËS LIGJORE PARAPRAKE NGA KUVENDI I KOSOVËS.

I/E nderuar,

Për njoftimin dhe angazhimin tuaj urgjent po ju njoftoj se më datë 3 janar 2024 (e mërkurë, ora 12:52 PM), përmes faqes së tij në rrjetin social Facebook, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e ka njoftuar opinionin publik se së shpejti në Kryeqytet do të vendosen Kamerat e Sigurisë me Inteligjencë të Lartë Artificiale!!!

Duhet sqaruar menjëherë faktin se lidhur me këtë ndërmarrje nga Komuna e Prishtinës nuk ka pasur ndonjë debat publik paraprak; nuk ka pasur dhe nuk ka edhe sot ndonjë sqarim të zgjeruar për qytetarët e Prishtinës se çfarë saktësisht nënkupton vendosja dhe operimi i kamerave të tilla me inteligjencë artificiale; nëse dhe në çfarë mase do të cenohen dhe shkelen të drejtat dhe liritë qytetare / njerëzore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës; si edhe nëse ka ndonjë bazë ligjore të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për vendosjen e kamerave të tilla me inteligjencë të lartë artificiale në pothuajse të gjithë qytetin e Prishtinës!

Përdorimi i kamerave me inteligjencë artificiale (risi me shumë rreziqe) pa një ligj të veçantë për këtë fushë të miratuar paraprakisht në Kuvendin e Kosovës, është një ndërhyrje dhe shkelje brutale në të drejtat dhe liritë individuale dhe në privatësinë e qytetarëve të Kosovës.

Vëzhgimi dhe identifikimi i ndërlidhur me të dhënat personale (fytyra, numri personal, etj.) i të gjithë qytetarëve 24/7 (non-stop) me kamera të inteligjencës artificiale është shkelje e të drejtave të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, sipas të cilës askush nuk guxon të monitorohet pa arsye përkatëse ligjore dhe pa vendim paraprak gjyqësor.

Mbikëqyrja e plotë e qytetarëve (sipas formatit: Big Brother) me kamera të inteligjencës artificiale është instrumenti më i fortë i Komunizmit të epokës moderne.

Rrjedhimisht, si qytetar i përgjegjshëm që zbaton ligjshmërinë në Republikën e Kosovës, dhe në cilësinë e taksapaguesit të rregullt, kërkoj nga ana juaj që në cilësinë zyrtare të ndërmerrni të gjitha masat në dispozicion ligjor për ta ndaluar këtë veprim të kundërligjshëm dhe në shkelje të të drejtave të njeriut nga zyrtarët e Komunës së Prishtinës.

Ndryshe, kundër idesë së vendosjes së kamerave me inteligjencë artificiale ka dalë edhe ish-kryetari i Prishtinës nga radhët e LDK-së, Isa Mustafa.

Ai në një postim në Facebook kishte shkruar se nuk është e drejtë që të mbikëqyret mbikëqyrim çdo lëvizje të këmbëve e duarve, hundës e buzëve, e se kush me kënd gjendet në makinë… çdo përshëndetje të burrave e grave, të vajzave e të djemve, sepse mund tu krijojmë probleme, pa e bërë ata asnjë faj.

“Unë me shkopin tim, në qytetin tim nuk pajtohem të vëzhgohem nga kamerat, sepse shkopin e mbaj për arsye shëndetësore e jo që ta cenoj askënd”, shkruan ish-kryetari i Prishtinës. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...