22 C
Pec
E premte, 14 Qershor, 2024

Qyteti i Nagoldit në Gjermani kërkon binjakëzim me qytete nga Kosova e Shqipëria

Kryetari i qytetit të Nagoldit të Gjermanisë, Jürgen Großmann, flet për mundësinë e binjakëzimit me qytete nga Kosova, rolin e komunitetit shqiptar në këtë qytet gjerman.

Kryetari i Nagoldit në një intervistë per Kosova Press, ndau perspektivat e tij për kontributin e shqiptarëve në zhvillimin e qytetit dhe iniciativat që mund të forcojnë lidhjet/binjakëzimin në fushën kulturore dhe ekonomike midis qytetit të Nagoldit dhe qyteteve të Kosovës dhe Shqipërisë.

Gjatë intervistës, ai thekson se një binjakëzim/ bashkëpunim i tillë mund të sjellë përfitime të ndërsjella dhe të hapë dyer për projekte të reja që do të ndihmojnë në avancimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe mirëqenien e komuniteteve përkatëse. Großmann, vë theksin në interesimet që duhet të vijnë nga shqiptarët.

Të gatshëm për të shtyrë para procesin e binjakëzimit dhe për ndihmuar dhe përkrahur iniciativat për fillim të binjakëzimit të këtij qyteti me qytete nga Kosova, janë edhe në Shoqatën Kulturore Shqiptare të Nagoldit.

Kryetari i Komunës Großmann, flet se si mund të filloj ky bashkëpunim dhe të zhvillohet më tutje.

“Një gjë e mirë do të ishte sikur të kishim një familje në Nagold, një familje kosovare, por familje që ka rrënjë këtu. Dhe ata duhet te vijnë nga një qytet me përmasa të ngjashme me Nagold. Kështu që temat të ishin ndoshta të krahasueshme e të ngjashme, dhe ndoshta një qytet që do të kishte pak sfond turistik sikurse Nagold. Po, mund ta imagjinoja shumë mirë. Kështu që do të isha i gatshëm të diskutoja me kolegë nga Shqipëria/Kosova dhe me kryetarët e bashkive nëse mund të konsiderohet një partneritet i tillë. Por, në mënyrë ideale, iniciativa do të duhej të vinte nga njerëzit që janë këtu”, potencon kryetari Großmann.

Duke folur për rolin e shqiptarëve në qytetin e Nagoldit, ai thekson se në kuadër të Komunës ka një Bord Këshillimor të Integrimit, në të cilin janë të përfshirë edhe shqiptarët.

“Ekziston Bordi Këshillimor i Integrimit. Në këtë kuadër ju mund të jepni disa këshilla si shqiptarë, dhe në këtë kontekst mund të vijnë reagime të tilla ose mund të organizojmë një event ku shqiptarët do të thonë për shembull, ne tani do të donim të kishim një tjetër bisedë për ekzistencën tonë këtu në Nagold dhe kemi synimin të iniciojmë një partneritet midis Nagold dhe një qyteti shqiptar”, thekson i pari i qytetit të Nagoldit.

Nuk e le pa folur për vlerësimin që i bëhet nga shqiptarët dhe rolin që kanë pasur ata në zgjedhjen e tij për kryetar të komunës, Großmann, e vlerëson këtë, pavarësisht se thekson se është kryetar i të gjithëve pa dallim nëse e kanë votuar apo jo.

“Ajo që është e rëndësishme është të jesh plotësisht i pavarur. Ne njihemi prej shumë vitesh, pavarësisht zgjedhjes sime. Interesi im kryesor është që njerëzit të integrohen në qytetin tonë. Fakti që ne kemi një marrëdhënie të mirë dhe vullneti vjen edhe nga ana ime, mbështetja dhe ftesa për t’u përfshirë në ndikimin ne qytet. Ky vullnet është i plotë, pavarësisht nëse zgjidhem unë apo jo, dhe kjo është detyra ime, por mendoj që jam plotësisht i pavarur prej tij procesi”, deklaron ai.

Në fund të intervistës, kryetari i qytetit të Nagoldit të Gjermanisë, vlerëson lart kontributin e shqiptarëve për qytetin e Nagoldit dhe Shoqatën Kulturore Shqiptare që drejtohet nga Zeqir Gashi.

“Dëshiroj në veçanti t’ju falënderoj, Shoqatën Kulturore shqiptare- Nagold dhe familjen Gashi. Ju si familje Gashi, jeni shembull i mirë se si të përfshiheni si një person i integruar dhe më pas edhe profesionalisht në këtë mënyrë dhe të jeni të suksesshëm dhe shpresoj shumë që të mund t’i integrojmë shqiptarët tjerë në këto mënyrë. Dhe besoj se shqiptarët do të ndihen shumë rehat në Gjermani, idealisht do të bëhen shtetas gjermanë dhe kështu do të kenë të gjitha të drejtat dhe detyrimet. Pastaj integrimi ishte i suksesshëm. Në këtë mënyrë i bindëm evropianët se ky duhet të jetë qëllimi ynë. Faleminderit shumë, ju përshëndetje të gjithë shqiptarëve nga unë”

Kryetari i Shoqatës Kulturore Shqiptare, Zeqir Gashi, tregon se mundësinë e binjakëzimit të qytetit të Nagoldit me qytete nga Kosova. Ai ka biseduar edhe me kryetarin e komunës së këtij qytetit dhe se janë duke punuar në këtë drejtim.

“Shpresojmë se do të bëjmë binjakëzim, kemi biseduar me kryetarin, jemi kapak duke punuar me ideja qysh me ia bë. Unë e thashë edhe ma herët, kush do mund ta bëjë, le ta bëjmë”, thekson Gashi.

Ai e vlerëson përkrahjen që kanë pasur nga Komuna e Nagoldit për integrim në Gjermani.

“Unë kam ardhur shumë i ri, 15 vjet, nuk na kanë pengu, ia kam nisë, na kanë përkrah neve, na kanë parë që jemi të mirë dhe të integruar mirë dhe tani na kanë çelë dyert”, përfundon ai.

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...