Ish-kryetari i Parlamentit të Republikës së Kosovës, i Kushtetutës së Kaçanikut 1990, derivat i Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990, Iljaz Ramajli, sot në 34 vjetorin e shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut, ka folur në ‘RADIO 1’.
Në bisedë me Kryeredaktorin e ‘RADIO 1’, Fitim Behlulin, Iljaz Ramajli ka kujtuar ngjarjet në kontinuitet të përpjekjeve të atij brezi për Liri dhe Pavarësi.
Duke folur për distancën kohore të zhvillimit të ngjarjeve, Ramajli ka thënë se ngjarjet e mëvonshme që do të ndodhnin në Kosovë dhe ish-Jugosllavi do të dëshmonin se delegatët e 2 korrikut dhe 7 shtatorit kishin plotësisht të drejtë.
Ai shton se sublimimi i përpjekjeve të 7 Shtatorit ishte lufta e lavdishme e UÇK-së.
“Ngjarjet e mëvonshme që ndodhën, dëshmuan që në kohën kur u morën vendimet e 2 korrikut dhe 7 shtatorit ishin akte mbrojtëse dhe pozicionuese në kuptimin politik dhe kushtetues, lidhur me rrjedhën e ngjarjeve në ish-Jugosllavi, ku qartë shihej se Serbia dëshironte ta vendoste supermacinë e saj. Ngjarjet që ndodhën më vonë, sidomos lufta e përgjakshme në ish-Jugosllavi dhe lufta e lavdishme e UÇK-së, dëshmojnë më së miri se ne kishim të drejtë që në atë kohë i bëmë të ditur Serbisë dhe faktorit ndërkombëtarë aspiratën dhe të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi”, tha Ramajli në ‘RADIO 1’.
Ramajli duke bërë një krahasim në mes të kushtetutës së Kaçanikut dhe kësaj aktuales, ndër të tjera u shprehë, se: “Kushtetuta e Kaçanikut është punuar nga Komisioni Kushtetues me numër të madh profesorësh të nderuar që nuk duhet ti harrojmë. Kushtetua që sot e kemi deri në 40% është e ndikuar drejtpërdrejt nga Pako e Ahtisarit. Pra ky është dallimi. Megjithatë unë them që kur të vie koha kësaj të sotmes do i bëjmë disa përmirësime”, tha ai.
Ramajli, duke analizuar rrjedhën e ngjarjeve të kohës, shprehet se delegatët e ish-Kuvendit Krahinor të Kosovës, 23 Marsit të vitit 1989, (10 që votuan kundër) ishin në pozitë më të rëndë se sa ata të 2 korrikut dhe 7 shtatorit 1990.
Ramajli shton se e përbashkëta shtatorëve 1990 dhe 2024 është skamja dhe mungesa e sundimit të ligjit.
“Në këtë atmosferë të zgjedhjeve të shkurtit 2025, kushdo që kërkon votë duhet të ketë parasysh vuajtjet që populli ynë i ka kaluar qysh para viteve 1980, 1990e edhe më herët.”, tha Ramajli./RADIO 1/
Driton Kuka pas humbjes së Kosovës: Sportistët tanë e ekipi duhet përkrahur kur janë në ditë të keqe