Skuadra e Rapidit të Bukureshtit ka njoftuar të dielën në mëngjes për largimin e sulmuesit të Kosovës, Albion Rrahmani. Klubi rumun ka theksuar se Rrahmani do t’i kryejë testet mjekësore të dielën te një klub tjetër.
Ndërkohë, mediumi rumun “sport.ro”, ka shkruar se Rrahmani do t’i bashkohet kampionit të Republikës së Çekisë, Sparta Pragës, për 5 milionë euro. Rrahmani 23-vjeçar në edicionin e kaluar realizoi 18 gola dhe dhuroi gjashtë asistime në 28 ndeshje.
Rrahmani te Rapidi i Bukureshtit ishte transferuar për 600 mijë euro, ndërsa shitja prej 5 milionë eurove, e bën atë largimin më të shtrenjtë në histori të skuadrës së njohur rumune.
Cristi Sapunaru ishte shitur për këtë shumë parash te Porto për edicionin 2008-2009.
Rapidi, siç shkruan mediumi rumun, do të ketë 15 për qind të fitimit nga shitja e ardhshme e tij.
Ndërkohë, edhe Ballkani do të përfitojë prej shitjes së Rrahmanit te Sparta e Pragës.
Kampioni i tri edicioneve të fundit në Kosovë do të përfitojë 750 mijë euro, ka bërë të ditur sajti rumun.
Te Sparta e Pragës, Rrahmani do t’i bashkohet Ermal Krasniqit, Qazim Laçit e Indrit Tucit. /Njeshi/