15.6 C
Pec
E premte, 12 Prill, 2024

Raportimi për tema tragjike e të ndjeshme dhe thirrjet për respektim të privatësisë dhe Kodit etik të KMShK-së

Rasti i vrasjes së Liridona Ademajt në nëntorin e vitit 2023 dhe raportimi në shumë media dhe më pas publikimi i informatave edhe në rrjete sociale edhe për jetën e saj private duke rikthyer edhe “momentet kur ajo ishte martuar”, ishin shkelje flagrante e raportimit etik dhe profesional.

Shumë media nuk kanë respektuar Kodin etik sidomos në tema të tragjedive, aksidenteve, incidenteve, privatësisë e mbrojtjes së fëmijëve dhe të miturve.

Të gjitha mediat online që janë anëtare e Këshillit të Mediave të Shkruara duhet të respektojnë Kodin etik. Dhe ky Kod në nenin VI specifikisht thotë:

“Mediat e shkruara asnjëherë nuk duhet t’i publikojnë emrin, atësinë/amësinë dhe mbiemrin, fotografi, video apo imazhe të tjerë të fëmijëve nën moshën 18 vjeçare, të cilët janë të përfshirë apo ndërlidhur me/në aksidente, incidente, dhunë, vepra penale, fatkeqësi natyrore apo veprime të tjera”.

Por, fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur dhe nuk po ndodh në shumë raste  dhe kemi parë raste të shkeljes së privatësisë gjatë raportimit.

Ky nen në KMSHK është edhe më specifik: “kur shfaqen fëmijët, atëherë obligohen që t’i mbulojnë fytyrat, shenjat dalluese të fëmijës, apo rrethanat tjera që mund ta identifikojnë fëmijën (psh: shtëpia ku banon, shkolla ku vijon mësimin, lagjja ku banon etj.)”.

Mirëpo kjo nuk kishte ndodhur në rastin e raportimit për rastin e Liridona Ademajt edhe me publikimin e imazheve të fëmijëve të saj, pamje nga dasma kur ajo ishte martuar vite më parë e deri të momentet tjera specifike që ajo kishte publikuar në rrjetet sociale nga jeta personale e saj.

“Trajtimi i rrëfimeve te tragjeditë personale duhet të zhvillohet me kujdes dhe vetëm kur ka interes të lartë publik mbi çështjen. Nëse interesi publik është i lartë, atëherë ndaj fëmijëve të prekur nga tragjedia duhet pasur qasje mirëkuptimi, mbrojtje të privatësisë, mbulim të fytyrës, dhe diskrecion”, thuhet në kodin etik të KMShK-së.

Madje KMShK-ja kishte bërë edhe një qëndrim për raportimin etik të mediave në situata të ndjeshme, të krizës dhe tragjedi.

“Raportimi në situata të ndjeshme, të krizës dhe në tragjedi kërkon kujdes, ndjeshmëri e profesionalizëm. Veçanërisht javët e fundit gazetarë kanë raportuar për situata krize brenda dhe jashtë vendit, me ç‘rast Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka evidentuar raportime që shkelin kodin etik, përkatësisht kanë probleme të theksuara etike”, thuhej në këtë qëndrim.

Shumë organizata ndërkombëtare që merren me mediat dhe gazetarët, por edhe mekanizma tjerë kanë udhëzues specifikë për tema që janë të ndjeshme e edhe ku raportohet dhe për fëmijët.

UNICEF ka zhvilluar parime dhe udhëzime për të ndihmuar gazetarët të raportojnë për çështjet e fëmijëve në një mënyrë që u mundëson atyre t’i shërbejnë interesit publik pa cenuar të drejtat e fëmijëve.

“Raportimi i medias për fëmijët dhe të rinjtë nuk duhet t’i vërë ata kurrë në rrezik. UNICEF ka zhvilluar parime dhe udhëzime për të ndihmuar gazetarët të raportojnë për çështjet e fëmijëve në një mënyrë që u mundëson atyre t’i shërbejnë interesit publik pa cenuar të drejtat e fëmijëve. Këto janë gjashtë parime gjithëpërfshirëse; gjashtë udhëzime për intervistimin e fëmijëve; dhe shtatë parime për raportimin për çështjet e fëmijëve”- thekson UNICEF.

Një tjetër rast për të cilin u kërkua nga mediat që të kenë kujdes ishte vdekja e 18-vjeçarit Lulzim Fejzullahu në Podujevë.

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, kishte kërkuar pas raportimit të këtij rasti në media dhe rrjete sociale që të largohen pamjet filmike të publikuara.

“Pamjet filmike dhe imazhet të cilat shfaqin viktimën dhe të dyshuarit të mitur nuk janë në interes të publikut dhe në funksion të raportimit etik e profesional. Kapitulli VI i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës ‘Trajtimi i tragjedive personale, mbrojtja e fëmijëve dhe të miturve’ specifikisht rregullon raportimin e rasteve të tilla, duke kërkuar trajtim të kujdesshëm dhe diskret të tyre, mbrojtje të privatësisë dhe respektim të dhimbjes së familjeve të tyre.  KOMF do të parashtrojë ankesë tek organet kompetente lidhur me raportimet për këtë rast”.

Mediat duhet të respektojnë Kodin etik të KMShK-së dhe natyrisht duhet të jenë të përgjegjshme për peshën e rëndësinë që kanë në shoqëri.

(Teksti i plotë fillimisht është publikuar në www.kallxo.com). /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...