Nën moton “Siguri dhe Drejtësi për Krejt”, një grup qytetarësh po protestojnë para Komunës së Gjilanit, për të shprehur indinjatën e tyre pas publikimit të disa fotografive në rrjetet sociale, ku shfaqej një grua e dhunuar, me shenja të dukshme të dhunës në fytyrë.
Ky rast ka shqetësuar rëndë komunitetin dhe ka nxitur një reagim të fortë nga qytetarët, të cilët kërkojnë veprim urgjent dhe mbrojtje për gratë dhe vajzat që janë viktima të dhunës në familje.
Protesta është organizuar nga Qendra Sociale “Përpjekja” dhe Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, të cilat janë angazhuar për të ngritur zërin kundër dhunës gjinore dhe për të kërkuar përgjegjësinë e institucioneve për trajtimin dhe mbrojtjen e viktimave.
Aktivistët kërkuan nga autoritetet që të ofrojnë mbështetje më të fuqishme për viktimat e dhunës dhe të sigurojnë drejtësi për ata që abuzojnë. /Njeshi/