0.7 C
Pec
E premte, 7 Shkurt, 2025

Rasti i ish-krerëve të UÇK-së, ZPS thotë se do t’i përmbahen afatit të caktuar për mbylljen e çështjes së tyre

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) e përfaqësuar nga prokurori Matt Halling njoftoi se ata do t’i përmbahen afatit të përcaktuar për mbylljen e çështjes së tyre që i bie të jetë prilli i 2025-ës.

Prokurori e tha këtë gjë gjatë konferencës mbi ecurinë e çështjes në këtë rast gjyqësor pas seancës së mbajtur ku u dëgjua dëshmia e dëshmitarit John Clarke, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Sipas asaj që na e merr mendja, ne mendojmë që do ta arrijmë atë afat që na është caktuar si datë për përfundimin e paraqitjes së provave. Ka disa dëshmitarë për të cilët nuk është bërë formalisht njoftim përmes një parashtrimi zyrtar mirëpo bëhet fjalë për një numër ë kufizuar dëshmitaresh dhe në fund duam të themi që e çmojmë kushtin që ta përfundojmë paraqitjen e provave deri me datë 15 prill dhe do të bëjmë çmos dhe jemi të bindur që ta arrijmë këtë datë”, tha prokurori.

Tutje, prokurori theksoi një pikë që ka të bëjë me dëshmitarët jo-bashkëpunues ndaj të cilëve sipas tij ka pasur ndikim atmosfera e frikësimit dhe kundërshtime tjera për të dhënë dëshmi.

Ndërsa, Mbrojtja e Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq tha foli lidhur me datën e përmendur nga Prokuroria për mbylljen e çështjes së saj. Ai tha se trupi gjykues ka caktuar seanca deri me datën 4 prill dhe kërkoi sqarim se si do të vazhdohet tutje.

Prokurori tha se meqë seancat janë me 4 prill edhe çështja e tyre mendohet të jetë brenda asaj kohe. Ndërsa, gjyqtari tha se që në rast që ka situata që duhet të rrezohet vendimi për kalendarin atëherë do ta bëjë një gjë të tillë, megjithatë ai shtoi se këtë gjë nuk do ta bëjë pa ndonjë arsye të fortë.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26./Njeshi/

 

 

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...