Një sulm i rëndë ndodhi gjatë mbrëmjes të së premtes në veri të Kosovës, ku një shpërthim dëmtoi një kanal të ujit që furnizon dy termocentrale me qymyr, përgjegjëse për prodhimin e pjesës më të madhe të energjisë elektrike të vendit.
Ky akt është cilësuar nga institucionet kosovare si një “akt terrorist”, ndërsa kryeministri Albin Kurti ka akuzuar Serbinë fqinje si përgjegjëse për këtë sulm.
CNN raportoi se shpërthimi i së premtes në mbrëmje dëmtoi një kanal kyç për furnizimin me ujë të dy termocentraleve me qymyr në Kosovë. Mediumi amerikan thekson deklaratën e kryeministrit Kurti, i cili e quajti këtë një “akt terrorist” dhe fajësoi Serbinë për përfshirje në këtë sulm, transmeton Telegrafi
Reuters, një nga agjencitë më të mëdha të lajmeve në botë, nënvizoi dëmtimin e kanalit që furnizon termocentralet kryesore të Kosovës, duke e lidhur këtë incident me tensionet e vazhdueshme në rajon.
Deutsche Welle, mediumi gjerman, në fokus kishte deklaratën e qeverisë së Kosovës, duke e përkufizuar ngjarjen si një akt terrorist dhe duke theksuar rëndësinë strategjike të kanalit të dëmtuar për furnizimin energjetik të vendit.
Al Jazeera, një medium ndërkombëtar me bazë në Katar, theksoi se incidenti kishte potencial për të ndikuar rëndë në furnizimin energjetik të Kosovës. Në raportimin e saj, Al Jazeera përmendi akuzat e kryeministrit kundër Serbisë si përgjegjëse për këtë sulm.
Bloomberg, një tjetër medium i njohur amerikan, citoi deklaratat e kreut të qeverisë së Kosovës, i cili e cilësoi shpërthimin si një “akt terrorist” dhe duke theksuar rëndësinë e kanalit të ujit për dy termocentralet që prodhojnë shumicën e energjisë së vendit.
Ky sulm ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare për shkak të ndikimit të mundshëm në furnizimin me energji të Kosovës dhe përkeqësimit të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ngjarja ka nxitur thirrje për një hetim të shpejtë dhe gjithëpërfshirës për të zbardhur rrethanat dhe autorët e këtij sulmi./Njeshi/