20.5 C
Pec
E martë, 16 Prill, 2024

Regjistrimi i popullsisë në veri – Kush refuzon do të gjobitet prej 2 mijë deri në 20 mijë euro

Regjistrimi i popullsisë në vitin 2011 ishte shtyrë për 19 ditë, meqë komuniteti serb nuk kishte shprehur gatishmëri të bëhej pjesë e procesit. Afati shtesë asokohe, nuk kishte kryer punë, andaj ishte konsideruar se regjistrimi ishte bojkotuar.

Mirëpo, kësaj radhe, Agjencia e Statistikave shpreson që në këtë pjesë të vendit ta kryejë me sukses, regjistrimin. Për këtë madje veç i ka zgjedhur regjistruesit.

Regjistrimi i secilit qytetar në të gjitha pjesët e vendit, konsiderohet i domosdoshëm nga njohësit e çështjeve ekonomike, për disa arsye.

“Duhet të bëhen përpjekje maksimale që të regjistrohen qytetarët e të gjitha komunave. Mosregjistrimi eventual mundëson informalitetin ekonomik. Këto janë të dëmshme për ekonominë”, thotë Fidan Qerimi, profesor i ekonomisë

Megjithatë, anëtarë të shoqërisë civile në pjesën veriore regjistrimin e popullsisë e konsiderojnë si proces të vështirë në këtë territor.

“Kujtojmë se para 13 vjetësh procesi I regjistrimit ishte komplet i bojkotuar në këtë pjesë. Por, ne ende kemi tension dhe situate tjera që ngjallin pakënaqësinë e banorëve të veriut me Qeverinë. Andaj, do të jetë vërtetë sfiduese dhe nuk duhet të pritet që ata të bëhen pjesë e këtij procesi të ndjeshëm. Nuk e di nëse ka presion nga Beogradi, por vështirë që të zbatohen proceset e Kosovës sidomos tash pas çështjes së dinarit.”, deklaroi Aleksandar Sljuka, anëtar i shoqërisë civile.

Sidoqoftë, të gjithë ata që eventualisht refuzojnë të evidentohen si banor të shtetit, mund të gjobiten me shuma të majme të parave.

“Kushdo që refuzon të deklarohet do të dënohet prej 2 mijë deri në 20 mijë…”, tha Ylli Shala, menaxher i projektit për regjistrimin e popullsisë.

Procesi i regjistrimit të popullsisë do të fillojë më 5 prill dhe do zgjasë gjithsej 2 muaj. Agjencia e Statistikave ka angazhuar gjithsej 3400 punonjës./Njeshi&ATV/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...