18.8 C
Pec
E enjte, 23 Maj, 2024

Rezoluta anti-korrupison e paraqitur nga Rama, reagon delegacioni i BE

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar pozitivisht në lidhje me rezolutën e fundit anti-korrupsion të paraqitur nga Kryeministri Edi Rama.

“Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri mirëpret dhe mbështet çdo nismë të qeverisë që sjell përparim në fushën e reformave për shtetin e të drejtës,” u shpreh përfaqësuesi i delegacionit.

Për më tepër, delegacioni theksoi rëndësinë e moscenimit të progresit të reformave të deritanishme, duke u fokusuar në parimin e pakthyeshmërisë të reformës në drejtësi të ndërmarrë në vitin 2016.

Në deklaratën e tyre, përfaqësuesit e BE-së potencojnë se reformat dhe avancimet në shtetin e së drejtës, qeverisjen e mirë dhe luftën kundër korrupsionit duhet të ndërtohen mbi arritjet e mëparshme dhe të ndjekin parimet kushtetuese të kontrollit dhe balancimit të pushtetit.

“Në përputhje me angazhimet e Shqipërisë për të ecur përpara në procesin integrues, çdo hap i ri duhet të jetë në linjë me kritere dhe rekomandimet e BE-së,” vazhdoi deklarata.

“Është thelbësore që çdo veprim të zhvillohet në mënyrë koherente me gjetjet e raporteve të shqyrtimit analitik të legjislacionit.”

Sipas delegacionit të BE-së, është jetike që propozimi i ri parlamentar të jetë i bazuar në prova, transparent dhe të gëzojë mbështetje të fortë ndërpartiake. Gjithashtu theksohet se konsultimi i gjithanshëm me institucionet shtetërore, palët e interesuara dhe shoqërinë civile është fundamental për suksesin e këtyre reformave.

Në fund, delegacioni i BE-së përkujton angazhimin e unionit për të ofruar ndihmë të vazhdueshme Shqipërisë në përmirësimin e qeverisjes, sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Unioni është i gatshëm të rrisë mbështetjen e tij sipas nevojës në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...