-0.1 C
Pec
E premte, 27 Janar, 2023

Rikonfirmohet mbështetja e Qeverisë për personat me aftësi të kufizuara

Drejtuesi i Forumit Kosovar i Aftësisë së Kufizuar Bujar Kadriu u prit të enjëten nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Drejtorin Ekzekutiv të Shoqatës Kosovare të të Shurdhërve, Enver Kurtalani dhe Drejtoreshën Ekzekutive të Down Syndrome Kosova, Sebahate Hajdini Beqiri.

Në këtë takim u bisedua për veprimet e ndërmarra nga qeveria gjatë vitit 2022 si Vit i Personave me Aftësi të Kufizuar, ku u veçua Masa 1.6 ku Qeveria synon zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike, të subvencionojë pagën për 6 muaj, për personat me aftësi të kufizuara që punësohen në sektorin privat. Subvencioni do të jetë 270 euro në muaj.

Në takimin e sotëm u fol për mbështetjen e punësimit të personave me nevoja të veçanta, krijimi i Sintezës Vokale në Gjuhën Shqipe, qasja në dokumente në shkrimin Braille brenda Zyrës së Kryeministrit për personat e verbër, mbështetja e dhënë për programet trajnuese për sportistë për Komitetin Paralimpik të Kosovës si dhe Federatën e Sportit për të Verbër, thuhet në komunikatën për medie.

“Synimi i Qeverisë së Kosovës është të ofroj mundësi të barabarta për të gjithë, si parakusht për dinjitetin njerëzor dhe pjesëmarrje të barabartë në shoqëri”, tha kryeministri Kurti.

Në takimin me përfaqësuesit e Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, organizatë ombrellë e organizatave të personave me aftësi të kufizuar Kurti rikonfirmoi përkushtimin e Qeverisë për mbrojtjen dhe jetësimin e të drejtave të njeriut në përgjithësi, e në veçanti respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.

Vazhdimi i bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë dhe organizatave, për rritjen e mirëqenies së personave me aftësi të kufizuara u ritheksua në këtë takim të përbashkët me drejtorin ekzekutiv të Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, z.Bujar Kadriu, Drejtorin Ekzekutiv të Shoqatës Kosovare të të Shurdhërve, Enver Kurtalani dhe Drejtoreshën Ekzekutive të Down Syndrome Kosova, Sebahate Hajdini Beqiri.

Për përmirësimin e edukimit për fëmijët, u veçua punësimi i rreth 100 asistentëve në shkolla në të gjithë vendin për fëmijët me nevoja të veçanta gjatë këtij viti, si dhe ndarja e buxhetit nga Qeveria për vitin 2023 për 500 fëmijë me nevoja të veçanta.

Mes tjerash në këtë takim me Kurti dhe përfaqësuesit e organizatave u theksua angazhimi për infrastrukturë ligjore të përshtatshme, duke veçuar inicimin e procesit të amandamentimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës për përfshirjen e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar, puna në hartimin e Projektligjit për Vlerësimin, Njohjen e Statusit, Përfitimet dhe Shërbimet për Personat me Aftësi të Kufizuar, si dhe Udhëzimi Administrativ i miratuar nga Qeveria për caktimin e Listës, Llojeve dhe Pajisjeve Ndihmesë që ofrohen falas për Personat Paraplegjik dhe Tetraplegjik, që shërbejnë për Lëvizje, Parandalim dhe Asistim.

Përfaqësuesit e organizatave u shprehën mirënjohës për bashkëpunimin me institucionet dhe angazhimin e Kryeministrit Kurti për ngritje të mirëqenies për personat me aftësi të kufizuar./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...