14 C
Pec
E shtunë, 15 Qershor, 2024

Rohde: Gjermania e përkushtuar për ta futur Kosovën në KiE, ecja përpara me Asociacionin do ta mundësojë këtë

Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde ka folur për forcimin e sundimit të ligjit dhe përgatitjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës, por ka theksuar se kjo nuk do të ndodhë pa ecur përpara me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Pas një takimi me përfaqësues të organizatave joqeveritare IKD dhe FOL me të cilët tha se foli për përmirësimin e qasjes në drejtësi në përputhje me standardet e KiE, Rohde tha se Gjermania mbetet e përkushtuar për ta anëtarësuar Kosovën në KiE sa më parë.

“Për ta forcuar sundimin e ligjit dhe për t’u përgatitur Kosova për Këshillin e Europës ne do ta mbështesim projektin e përbashkët të Institutit të Kosovës për Drejtësi/FOL për ta përmirësuar qasjen në drejtësi në përputhje me standardet e KiE. Gjermania mbetet e përkushtuar për ta futur Kosovën në Këshill sa më shpejt. Ecja përpara me Asociacionin do ta bëjë këtë të ndodhë”, shkroi Rohde në “X”.

Muajin e kaluar Kosova dështoi të anëtarësohej në Këshillin e Europës, pasi Qeveria refuzoi ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e BE-së për Asociacionin, që ishte kushti për anëtarësimin e vendit në Këshillin e Europës.

Kryeministri Albin Kurti shpresonte se një “letër e garancisë” se Asociacioni do të themelohej pas anëtarësimit, e më pas një përpjekje e fundit me një tjetër letër të dërguar në Strasburg se një draft-statutit i ri do të dërgohej në Gjykatë deri në fund të muajit, do të bënin që Kosova të futej në KiE. Por asnjë nga këto lëvizje s’e shmangu dështimin dhe çështja u la jashtë agjendës së mbledhjes së Komitetit të Ministrave.

Tash, kur është konfirmuar se një lëvizje e rëndësishme drejt themelimit të Asociacionit është e pashmangshme për anëtarësim në KiE, Qeveria ka shprehur gatishmërinë që ta shkruajë vetë një draft-statut me shpresën se deri në fund të vitit do të pranohet në organizatën më të vjetër politike ndërkombëtare në Europë./Njeshi/

 

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...