27.9 C
Pec
E mërkurë, 24 Korrik, 2024

Rohde i cilëson si “ngarkesë” për dialogun tri kushtet e djeshme të Kurtit – Serbia po e shkel nenin 4 të Marrëveshjes Bazike

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e ka komentuar takimin e djeshëm të kryeministrit Albin Kurti me shefin e Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, të dërguarin special për dialogun, Miroslav Lajçak por edhe mungesën e takimit të nivelit të lartë që ishte paraparë të ndodhë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Rohde tha se takimi i djeshëm nuk përfundoi shumë mirë dhe se përparimi për momentin është i bllokuar, por shtoi se takimi i radhës në nivel të kryenegociatorëve paraqet potencial për ta gjetur një terren të përbashkët.

“Dhe, prandaj, ka potencial për të gjetur terren të mesit të përbashkët. Sepse të dyja palët e dinë, që qasja konstruktive në dialog është po ashtu parakusht për të marrë pjesë në Planin e Rritjes”, tha Rohde për Nacionale

Ai komentoi edhe tri kushtet e kryeministrit Kurti në mënyrë që të ketë takim të nivelit të lartë; nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike, tërheqja e letrës së ish-kryeministres serbe Ana Bërnaqiq dhe dorëzimin e terroristit Millan Radoiçiq tek organet e drejtësisë në Kosovë.

Kushtet e Kurtit, Rohde i cilësoi si “ngarkesë” në procesin e dialogut, i cili proces sipas tij, edhe ashtu është i vështirë aktualisht.

“Shikoni, nuk mendoj se është e dobishme ta ngarkojmë një proces edhe ashtu tashmë të vështirë të negociatave, përherë me kushtëzime të reja. Sepse doni të arrini diçka, dhe, nëse më lejoni të kthehem në historinë tonë gjermano-gjermane, kishim marrëdhënie të vështira me Gjermaninë Lindore. Ishte një diktaturë me një demokraci, ku çdo vit njerëzit vriteshin në kufi, sepse ishte e minuar, por megjithatë gjetëm mënyra për t’u angazhuar drejt njëri tjetrit”.

“Mendoj se gjithashtu është fatkeqe që s’pati mundësi për t’u takuar ballë-për-ballë, që s’pati takim trepalësh dhe siç tha Borrelli, ne jemi veç ndërmjetësues; s’i bëjmë dot ne punët e juaja të rënda për juve; duhet të ketë së paku vullnet minimal nga palët që të angazhohen. Dhe duhet ketë më shumë nga kjo, dhe jo më pak”, tha Rohde./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...